Qeveritë në mbarë botën pëlqejnë ta rrisin pagën minimale. Me kësi veprimi fitohen vota por edhe luftohen pabarazinë ndërsa që kjo kërkon pak shpenzime publike. Por pas një dekade rritjesh, ekonomistët po paralajmërojnë, gjithnjë e më shumë për efektet anësore të dëmshme të vendosjes së pagës minimale në nivel shumë të lartë, thuhet në një analizë të “The Economist”.
Pagat minimale u bënë trend në ekonomi e politika publike-ekonomike pas një sërë studimesh nga vitet 1990, të cilat mezi gjenin ndonjë ndikim negativ në punësim. Por skeptikët e sotëm argumentojnë se kostot e rritjes së pagave janë të vonuara ose të vështira për t’u dalluar.
Rritjet e mëdha të pagës minimale duket se kanë edhe pasoja të tjera të padëshiruara. Ekonomistët kanë gjetur së fundmi prova se ato i shtyjnë punëdhënësit t’i bëjnë oraret e punës më pak të parashikueshme dhe të reduktojnë investimet. Madje, ato janë lidhur edhe me rritje të aksidenteve në vendin e punës. Një studim nga Kina sugjeron se kjo ndodh sepse punëdhënësit i shtyjnë më fort punonjësit kur duhet t’u paguajnë më shumë. Me fjalë të tjera, pagat rriten, por kushtet e punës përkeqësohen.
Megjithatë, rritja e pagës minimale është një mënyrë e ngathët dhe joefikase për të trajtuar standardet e ulëta të jetesës. Shumë punëtorë me pagë minimale jetojnë në familje me të ardhura mesatare ose të larta. Ata mund të jenë personi i dytë që kontribuon në familje ose një i ri nga një familje e pasur me një punë verore. Pagat më të larta gjithashtu i shtyjnë bizneset të rrisin çmimet, gjë që godet më fort konsumatorët më të varfër.
Ka mënyra më të mira për të ndihmuar personat me të ardhura të ulëta. Kreditë tatimore për personat në punë mund të ndihmojnë të varfrit, veçanërisht nëse financohen përmes taksave të dizajnuara me kujdes, siç është TVSH-ja.