Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit
1 orë më parë
Linku u kopjua

Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e ish zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, i cili pak ditë më parë u fut në Listën e Zezë amerikane për korrupsion. Aksioni, ka të bëjë me furnizimin e VLT aparateve në Lotarinë Shtetërore në vlerë mbi 10 milionë euro. Megjithatë, Grubi, nuk është gjetur në shtëpi, ndërkaq sipas njoftimit të tij në Facebook ai ka udhëtuar jashtë shtetit për vizitë private dhe sapo të kryejë obligimet do të rikthehet në Shkup. Bastisje është kryer edhe në shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, të Maqedonisë së Veriut, Përparim Bajrami njeriut të afërt të Grubit. Por, edhe ai nuk është gjetur në shtëpi, ndërkaq janë gjetur shumë e konsiderueshme e parave. Jozyrtarisht, flitet se Bajrami ndodhet në Kosovë. Njoftohet se bastisje janë kryer në gjithsej nëntë adresa, përfshirë edhe anëtarët e Komisionit për Furnizime Publike në Lotarinë Shtetërore.

Lotaria Shtetërore është llogaritur nga përfaqësuesit e partive qeveritare si një nga institucionet e dyshuara për keqpërdorime të shumta financiare, gjatë kohës derisa me të ka udhëhequr Bajrami, apo njeriu i afërt Grubit, i cili u bë “non-grata” për SHBA-në për marrje të ryshfetit me qëllim që ta shpëtojë ish Shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov nga lëndët gjyqësore. Hetohen, tenderët e dyshimtë në Lotarinë Shtetërore që i kanë fituar kompani të afërta me BDI-në.

Sipas raportimeve në media, Lotaria Shtetërore ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Hej” për marrjen me qira të ish restorantit Festina në Vizbeg , në të cilin janë ruajtur terminalet e lojërave të fatit të blera në vlerën e 19 milionë eurove. Marrëveshja e firmosur për 10 vjet, peshonte 2.6 milionë euro, përkatësisht 21.000 euro në muaj. Kjo kompani është e njohur në opinion, pasi në krye të saj kanë qenë njerëz të afërt apo të lidhur me familjen e Grubit dhe ish deputetit Jahoski.

Megjithatë, Qeveria në shtator e prishi marrëveshjen, pasi siç tha edhe vetë kryeministri Hristijan Mickoski, Lotaria Shtetërore i paguante kompanisë qira që ishte trefish më e lartë nga ajo që e përcakton tregu. Ai theksoi se kontrata e prishur është bazë për përgjegjësi penale dhe se ekzistojnë dyshime serioze për kriminalitet nga pushteti i kaluar.

Gjithashtu, po hetohet edhe dokumentacioni që ka të bëjë me shpalljet e realizuara, tenderët, kontratat e lidhura dhe çdo dokumentacion tjetër shoqërues për prokurimet publike. Nën hetim është edhe themelimi i tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit: “77 Bits”, “Vezuv” dhe “Mozzart”.

Në këto shoqëri, shoqëria aksionare shtetërore ka 51% të pronësisë, ndërsa shoqëritë private nga Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, bashkëpronarë, kanë 49%. Për këto tri subjekte të reja, shumica parlamentare VMRO-DPMNE-VLEN paraqiti në fillim të korrikut edhe një kërkesë për interpretim autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit, duke konsideruar se themelimi i tyre është i paligjshëm dhe se ato duhet të mbyllen. Pasi Kuvendi dha interpretim autentik të nenit 7 të Ligjit për Lojërat e Fatit, më 27 shtator Qeveria i mbylli katër platformat e kazinove online për shkak të parregullsive në punë, lëshime dhe dyshime të bazuara për punë të paligjshme. /Alsat.mk

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024