Policia e Berlinit tha se kishte ndaluar një paradë të tifozëve turq përpara ndeshjes çerekfinale të EURO midis Holandës dhe Turqisë, ndërsa tifozët bënin gjeste masive me shenjën e grupit të ekstremit të djathtë turk "Ujqërit gri".
"Gjatë paradës së tifozëve turq u bë masivisht përshëndetja e Ujqërve Gri. Për këtë arsye policia ndaloi marshimin dhe u bëri thirrje tifozëve të ndalojnë me atë shenjë", shkruan policia e Berlinit në platformën X, duke shtuar se marshi i tifozëve “nuk është vend për mesazhe politike”.
Gjesti i "Ujqërve gri", tre gishta të bashkuar me gishtin tregues dhe gishti i vogël i ngritur në ajër për të vizatuar profilin e një ujku, është në qendër të vëmendjes këtë javë teksa shenja është bërë nga mbrojtësi turk Merih Demiral për të festuar golat që ai shënoi në ndeshjen e 1/8 kundër Austrisë. Për shkak të kësaj, Demiral u pezullua me dy ndeshje me vendim të UEFA-s.
Gjesti i Demiralit shkaktoi edhe tensione diplomatike mes Turqisë dhe Gjermanisë. Turqia thirri ambasadorin gjerman në Ankara për bisedime të mërkurën në shenjë proteste ndaj një deklarate të ministres së Brendshme gjermane Nancy Feser, e cila e quajti gjestin e lojtarit "të papranueshëm".
Ujqërit gri klasifikohen si një grup ekstremist i krahut të djathtë me 18,500 deri në 20,000 anëtarë në Gjermani, duke i bërë ata organizatën e dytë më të madhe ekstremiste të krahut të djathtë, sipas inteligjencës gjermane.
Ekspertët e ekstremizmit thonë se botëkuptimi i Ujqërve Gri është thellësisht nacionalist dhe islamik, me urrejtje për kurdët, hebrenjtë, të krishterët, armenët, grekët, BE-në dhe SHBA-në. Grupi, i cili ka një histori të gjatë terrorizmi që daton që nga vitet 1970, është fajësuar për bombat në Paris dhe Bangkok dhe për atentatin ndaj Papa Gjon Palit II.