Policia e Kosovës ka bërë të ditur se duke filluar nga data 22 nëntor e këtij viti e deri më 21 janar të vitit 2023 do të ketë gjoba 150 euro për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Në një komunikatë për media thuhet se ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data 1 nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa KM në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot në mesditë janë shqiptuar rreth 1.740 qortime.
Ndryshe, faza e parë për kalimin nga tabelat ilegale në ato RKS përfshiu qortimin e shoferëve, ndërsa e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro, dhe e treta targa provuese.Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm automjete me targa RKS.