Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka anuluar konkursin për gradimin me gardën “rreshter” të shpallur më 12 shkurt të këtij viti.
Edhe pse i tërë procesi sipas policisë përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, është angazhuar stafi policor në analizimin e procesit, ku është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës, i cili ka bërë një inspektim “të jashtëzakonshëm të këtij procesi”.
Tutje në komunikatë është thënë se me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës ka marr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024.
Më tej, policia tha se pas rishikimi të procedurave dhe implementimit të ndryshimeve dhe rekomandimeve të IPK-së, do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më shpejt të jetë e mundur.