Policët sulmohen dhe lëndohen në punë por trajtimin duhet ta bëjnë me para të veta. Kurse, gjykata dhe prokuroria nuk po veprojnë fuqishëm dhe me një dinamikë më të madhe ndaj sulmuesve.
Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imri Zeqiri, sipas të cilit janë 21 policë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave, qindra policë të lënduar, rreth 300 policë të sëmurë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe policë me sëmundje kronike. E pikërisht për këtë, është jetik të bëhet sigurimi jetësor dhe shëndetësor.
Zeqiri thotë për KosovaPress, se policët po përballen me rreziqe të mëdha dhe për këtë kanë merituar të shpërblehen nga shteti.
“Unë mendoj që ky shpërblim i pagës, i një page ekuivalente ka qenë një kërkese mjaft modeste në krahasim me kërkesat e tjera. Kemi mbaj një takim zyrtar dhe gjatë takimit jemi dakordu për shumicën e kërkesave që i ka Policia e Kosovës, konkretisht sindikata jonë, sindikata e policisë. Ndër të tjera ka qenë edhe kërkesa për një shpërblim për fundvit për gjithë punonjësit. Neve kemi përcjell një kërkese me shkrim ministrit Sveçla dhe kemi informacione të sakta se ministri e ka përcjell kërkesën tonë në Ministrinë e Financave, por që as ai nuk ka marrë përgjigje e as ne nuk kemi marrë përgjigje. Dhe këtu ishte ai mllefi pse së paku nuk kemi marrë një përgjigje nga Qeveria me u arsyetu, cila është arsyeja që nuk është bërë kjo pagesë”, ka thënë ai.
“Rasti në Llaushë të Skenderajt me keqardhje është që ka ndodh vrasja, mirëpo e them me qind për qind siguri pa fajin e policisë. Policia në rastin e tillë ka intervenu, i është përgjigjur rastit dhe i ka kryer të gjitha procedurat në kompetencat e policisë, bazuar në ligjin dhe autorizimet policore. Është marrë, është trajtu edhe viktima e rastit, është trajtuar edhe i dyshimti... Policia e Kosovës një person të ndaluar për intervistim ka të drejtë ta mbajë gjashtë orë, mbas gjashtë orëve është kompetencë e prokurorit nëse e dërgon në mbajtje për 48 orë, pa vendim të prokurorit nuk ka mundësi me e dorëzu dhe le ta dinë edhe opinioni që prokurori është ai që i udhëheq hetimet në të gjitha rastet, policia i kryen punët në bazë të urdhrave të prokurorit”, ka thënë ai.
Ai madje kërkon që të ketë dënime më të ashpra për sulmuesit ndaj policëve.
Të gjitha këto kërkesa, Zeqiri shprehet se do i paraqes në një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Ndërkohë, njofton se që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, janë infektuar 2210 zyrtarë policor dhe aktualisht janë 40 policë me COVID-19.