Policët 12 orë në punë por pa shtesa për rrezikshmëri, kreu i PK: Situata të rënda në veri
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se në tre muajt e fundit nuk është paguar rrezikshmëria në punë për policët, ndërkohë që këta të fundit janë të angazhuar me nga 12 orë punë që prej 26 majit kur në veri të vendit serbët nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Ai shtoi se presin që gjatë këtij muaji të ndodhë një gjë e tillë. Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë, ai foli edhe për mungesën e uniformave, ku u shpreh se ka të bëjë me procedura të tenderimit. Po ashtu, Hoxha foli edhe për rastet e trajtuara gjatë vitit 2022, ku theksoi se kanë shënuar rritje ato të dhunës në familje.

Me fillim të raportimit para anëtarëve të komisionit, Hoxha ka kërkuar që për situatën në veri, komisioni të vijojë me dyer të mbyllura. Raportimi i këtij të fundit ka vazhduar pa prezencën e mediave.

Ai tha se gjatë vitit 2022, aktivitetet e realizuara kanë pasur për fokus rendin dhe ligjin në komunat veriore të Kosovës.

I pyetur nga kryetari i komisionit, Bekë Berisha, për pagesën e rrezikshmërisë në punë, Hoxha ka thënë se nuk janë paguar në tre muajt e fundit.

Po ashtu, ai tha se njësia speciale është pajisur me uniforma të reja, për pjesëtarët tjerë të PK-së, ai shtoi se është çështje e mungesës së fondeve por procedurave të Ligjit të prokurimit.

Hoxha theksoi se edhe në vitin 2022 zyrtarët policorë kanë qenë të sulmuar nga grupe kriminale dhe individë, ku të njëjtit janë lënduar dhe plagosur. Për të përmbushur të gjitha këto obligime me sukses, ai shtoi se Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka pasur në dispozicion 120 milionë euro, ku 93 për qind e buxhetit është shpenzuar.

Para anëtarëve të Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, Hoxha bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë ndaluar mbi 5600 persona për shkak të dyshimeve për përfshirje në vepra kriminale.

Tutje, ai tha se gjatë vitit 2022 janë shqiptuar rreth 646 mijë gjoba në trafik për kundërvajtje, për çka theksoi se është shënuar rritje 33, 59 për qind. Po ashtu, Hoxha njoftoi anëtarët e komisionit se janë regjistruar 21 mijë aksidente.

Drejtori i Policisë së Kosovës tha se objektivi kryesor është realizimi i aktiviteteve që ndikojnë në zbatimin e ligjit në mënyrë efikase. Po ashtu, theksoi synimet që të ketë barazi gjinore në këtë institucion, megjithatë shtoi se mungon interesimi i gjinisë femërore.

Para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha tha se janë realizuar mbi 340 operacione policore në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda. Sipas tij, janë goditur 34 grupe kriminale dhe janë ngritur 1094 kallëzime penale. Ai ka përmendur edhe dorëheqjen e policëve serbë, ku shtoi se kanë bërë përpjekje për të plotësuar vakumin e shkaktuar.

Ndryshe, protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në tri komuna në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe  30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të mbrëmshëm me emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar, ka thënë se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve. Ndërsa emisarët parashtruan tri kërkesa për të cilat deklaruan se presin të dëgjohen nga Qeveria e Kosovës.

“I pari është deeskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.”

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024