Poezia e Alketë Spahiut me titull “Pengu i lirisë” është shpallur fituese e çmimit kryesor në “Ora e madhe letrare” të shtyllës “Pena e Flakës” në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”.
Pasi janë lexuar e deklamuar poezitë pjesëmarrëse në “Ora e madhe letrare”, janë publikuar edhe rezultatet e konkursit anonim letrar në prozë e poezi.
Në emër të jurisë vlerësuese, Sabile Keçmezi – Basha vuri në dukje se cilësia e prurjeve të këtij edicioni ka qenë në nivel të kënaqshëm, sikurse edhe konkurrenca, për të cilën tha se ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe në numër të madh.
“Duke i analizuar poezitë, në të gjitha vërejtëm tonin meditativ ku gjejmë shqetësime krijuese që gërshetohen në filozofinë poetike të këtyre poetëve, të cilët sjellin një imazh që në vete bart realitetin e kohës dhe me një simbolikë metaforike gjuhësore përjetohet si refleks komunikimi duke bartur natyrshëm një mesazh të qartë tek lexuesit”, tha ajo, ndërsa pjesëmarrjen masive të poetëve e cilësoi “festë në vete” për poezinë shqipe.
Çmimin e parë e fitoi poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e fitoi poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “Këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”.
Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” zuri vendin e parë. Vendi i dytë i takoi tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” zuri vendin e tretë.