Granit Plava, i cili akuzohet si doras në vrasjen e Liridona Ademajt, ka deklaruar se nuk e ka kryer vrasjen e të ndjerës, por kishte marrëveshje me Naim Murselin për ta marrw përgjegjësinë për këtë vrasje. Plava, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij para trupit gjykues, deklaroi se nuk e ka ditur se për kë bëhej fjalë, raporton KosovaPress.
Ai tha se Naim Murseli i kishte premtuar që, pa u bërë 2 vite, do ta nxirrte nga burgu, duke ia përmendur edhe autoritetin që ai ka. Madje, Murseli kishte shkuar më larg duke i thënë se për këtë rast është në dijeni edhe Behxhet Pacolli.
Plava deklaroi më pas se është babai i tre fëmijëve dhe gjendja e tij ekonomike në familje është e dobët.
Plava ka mohuar që e ka vrarë Liridona Ademaj, për çka tha se nuk e di se kush është personi që do ta kryente vrasjen e të ndjerës.
Ai tha se me të akuzuarin tjetër, Naim Murseli, ishte takuar 7-8 herë para ditës kritike.
Por, ai shtoi se tani e di se Behxhet Pacolli nuk ka qenë fare i përfshirë në këtë rast.
Pas ishin larguar nga restoranti ku kishte darkuar Naim Murseli me familjen e tij, Plava tha se ishte nisur për Gjakovë, por pas 10 minutash e kishte thirrur Murselin duke e pyetur se ku ishte dhe më pas i kishte dërguar lokacionin e vendit të ngjarjes.
Ai tha se e kishte dëgjuar krismën e armës dhe se Naim Murseli ia kishte dhënë armën atij duke i thënë të ikte.
Seanca për vrasjen e Liridona Ademajt do të vazhdojë edhe nesër nga ora 09:30.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe fillimisht rasti ishte raportuar si vrasje gjatë grabitjes.