Petr Pavel, ish-shef i ushtrisë çeke dhe zyrtar i lartë i NATO-s, nisi mandatin pesëvjeçar në postin e presidentit të Republikës Çeke më 9 mars, duke u zotuar se do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën dhe do të mbështesë politikat ekonomike.
Pavel e mposhti në zgjedhjet e janarit ish-kryeministrin Andrej Babish. Ai është mbështetës i Bashkimit Evropian dhe NATO-s për dallim nga paraardhësi i tij, Millosh Zeman, që kishte tentuar të krijonte lidhje më të ngushta me Kinën dhe Rusinë.
Presidentët në Çeki zgjedhin kryeministrat dhe krerët e Bankës Qendrore, ndikojnë në politikën e jashtme dhe mund të shtyjnë përpara politika.
Një ushtar karriere, Pavel iu bashkua ushtrisë së atëhershme komuniste, dhe është nderuar me dekorata nga ushtria franceze për shkak të rolit të tij si paqeruajtës në Jugosllavi në vitet ’90. Më pas, ai u bë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë çeke dhe u bë kryetar i komunitetit ushtarak të NATO-s, post që e mbajti për tre vjet, deri kur u pensionua më 2018.
“Është zëri i bashkuar i Evropës Qendrore që do të jetë i rëndësishëm nëse ne po e ndihmojmë Ukrainën drejt fitores”, tha ai.
“Nuk është vetëm përvoja jonë historike që duhet të jetë arsye për të vazhduar mbështetjen tonë. Duke e ndihmuar Ukrainën, ne po ndihmojmë veten”.
Detyra e parë e Pavelit do të jetë nëse do të vendosë veto për të kufizuar rritjen e pensioneve nga qershori. Ky vendim është miratuar në Parlament, por është kundërshtuar nga opozita e udhëhequr nga Babish ka argumentuar se me këtë vendim është shkelur Kushtetutën çeke.
Vetoja presidenciale ka fuqi më të madhe se shumica parlamentare. Por, nëse ai vendos veto, Pavel do të përplasej me Qeverinë e qendrës së djathtë, që e ka mbështetur atë gjatë zgjedhjeve./REL