Më 22 janar 1828, u lind në Bukuresht Elena Gjika (Dora D’Istria).
Ajo u rrit në një kostelacion familjar, si e bija e Mihal Gjikës, themelues i muzeut të parë kombëtar në Rumani dhe e Katarina Gjikës, lëvruese në përkthim. Gjika kreu studime të thelluara në degën e letërsisë në epiqendrat e jetës akademike evropiane (Austri, Itali dhe Gjermani).
Gjika ndërmori edhe një sërë udhëtimesh e përpiloi studime të një game interesash.
Vepra e saj e parë e botuar në vitin 1855 titullohej “Jeta monastike në Kishën Lindore” (La vie dans l'Eglise monastique Orientale), ku autorja apelonte për shfuqizimin e urdhrave të manastirit.
Në shkrimin “Gratë në Orient” (“Les femmes en Orient”, 1859) dhe “Rreth grave, nga një grua” (“Des femmes, par une femme”, 1869), ajo qëmtonte gjegjësisht mbi emancipimin e grave në Levant (Mesdheu Lindor) dhe identifikonte dallimet në trajtimin e tyre mes Evropës Jugore dhe Gjermanisë.
Gjika vdiq në Firence më 17 nëntor 1888, në moshën 60-vjeçare.