Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sot përuruan Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Gllamnik të Podujevës.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë një konference për media, tha se bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia u dakorduan që të fillojnë shërbimet specialistike në Spitalin e Podujevës. Ai tha se pak a shumë kushtet teknike dhe infrastrukturore janë kryer, por që tha se i mbetet ministrisë dhe ShSKUK-së të sigurojnë stafin e nevojshëm mjekësor që të funksionalizohen shërbimet.
“Ne si komunë kemi participuar një shumë prej 55 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 220 mijë eurove në total sa është vlera e ndërtimit të këtij objekti është nga Katari. Po shihni që kemi të bëjmë me një objekt të kompletuar, i cili do i plotësoj kërkesat e nevojat edhe të qytetarëve, por njëkohësisht edhe të stafit mjekësor që do të punojnë këtu. Jemi shumë të lumtur që tashmë e kemi këtë objekt për arsye se ky objekt është në një lokalitet prej lokaliteteve më të mëdha në komunën e Podujevës.”, tha ai, me ç’rast e falënderoi ministrin Vitia për vizitën në komunën e Podujevës.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se problemet infrastrukturore në Podujevë, Bulliqi i kishte çuar në një stad që mund t’iu kenë lakmi jo vetëm komunat tjera, por edhe regjioni, siç tha, duke i parë dy objektet që sot i vizitoi me Bulliqin.
“E njoftova kryetarin që si Ministri e Shëndetësisë jemi shumë të përkushtuar që shërbimet sekondare fillimisht në nivelin specialistik dhe të vizitave specialistike sa më shpejt me disa grupe pune, bashkë me komunën e Podujevës të fillojmë për qytetarët e komunës së Podujevës, sepse natyrisht sa më afër i kanë këto shërbime, aq më mirë edhe aq më lehtë i marrin këto shërbime e sidomos në kushtet në të cilat kryetari, komuna dhe miqtë tanë si Katari në këtë drejtim në këtë objekt kanë investuar për ta bërë shëndetësinë primare në Podujevë. Në nivelin që sot e pashë dhe mund të them pa asnjë dyshim, jam shumë i kënaqur dhe shumë i befasur për të mirë...Dhe thash po ashtu së bashku me kryetarin dhe me stafin shumë shpejt qytetarët e komunës së Podujevës do të punojë çdo ditë që t’i kenë edhe shërbimet sekondare, që të mos kenë nevojë për intervenime të vogla ose për referime, të cilat mund të kryhen brenda komunës, të shkojnë në Prishtinë. ”, tha ai, duke shtuar se me Bulliqin do të ketë edhe takime të tjera pune.