Përplasje mes pozitës dhe opozitës për shkarkimin e Shemsi Hazirit në polici, arsyetohet drejtori Hoxha
Lexohet për: 4 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Mes tensioneve dhe përplasjeve të deputetëve të pozitës dhe opozitës është zhvilluar raportimi i drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në Komisionin për Siguri dhe Mbrojte.

Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha ka pyetur drejtorin Hoxha për raportimet në media për ndryshimet e bëra tek Njësia e Hetimeve në Polici, lidhur me largimin e shefit të Task Forcës Antikorrupsion, Shemsi Haziri, duke e zëvendësuar këtë të fundit me Betim Berishën, i cili sipas Berishës, ‘vjen nga Konushefci, i cili gjendet shumë afër me fshatin e ministrit të punës së brendshme, Xhelal Sveçla’.

Berisha theksoi se nuk ka pozitë zëvendës drejtor në atë njësi, dhe sipas tij, është krijuar pozita e veçantë që mos të mbetet në rrugë Haziri. Në këtë rast, Berisha përmendi hetimet ndaj Martin Berishajt.

“Majori Shemsi Haziri kishte qenë tri herë në takime, dy herë në Malin e Zi, dhe një herë në Slloveni për rastin e Martin Berishës. Dhe pas kthimit të majorit nga Mali i Zi, herën e fundit ka ndodhur transferimi. Ky paska qenë pikë kontakti e vetme me hetuesinë e Malit të Zi dhe ky për atë arsye është larguar nga Betimi. Pastaj i keni thënë ju drejtor, ‘ti duhet me u hequr prej këtu’. Nënkuptohet prej presionit politik, në fakt edhe kështu funksionon politika përmes drejtorit”, theksoi Berisha.

Pas këtyre akuzave nga deputeti i AAK-së, deputeti nga partia në pushtet, Enver Dugolli theksoi se qasja e deputetit Berisha është e gabuar, dhe se akuzat ndaj policisë janë të rënda.

“Assesi nuk është në rregull që të keqpërdoret pozicioni i kryetarit të Komisionit, e komisioni ta humb komplet rolin për çka jemi të thirrur. Pra, unë nuk po e di tash momentalisht se a jemi në gjykatë, tashmë ‘prokurori’ por gjykatës nuk po shoh këtu", tha ai.

Për deklaratën e Berishes, ka reaguar edhe deputetja nga Vetëvendosje, Shqipe Selimi, e cila kërkoi fjalën, porse fillimisht iu refuzua nga kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha.

"Mos me pengo, jam duke fol. A jam duke e folur unë fjalën. Mbylle pra"…

Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni theksoi se nëse qëndrojnë gjitha këto akuza, duhet të shqetësohet edhe shteti.

"Nëse këto qëndrojnë, me të vërtet është shqetësuese dhe do të duhej me u shqetësuar edhe kolegët e mi pa marrë parasysh se cilës parti politike i takojnë", tha ai.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, iu përgjigj Berishës duke thënë se nuk ka pasur asnjë largim të asnjë polici përveç majorit Haziri.

"Nga Njësia e Veçantë e Hetimeve nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici apo të asnjë eprori jashtë Njësisë përveç majorit Shemsi Hazirit, i cili është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatuar me qellim të arritjes së vizionit dhe objektivave të mia… ", tha ai.

Ndërsa, deputeti nga LVV, Mefail Bajqinovci ka pyetur drejtorin e policisë, Hoxha për shkeljet e mundshme në detyrë të Shemsi Hazirit dhe ndërhyrjet e tij në komuna dhe ministri.

Për këtë, Hoxha tha se nuk ka informacione.

Mes tjerash, gjatë raportimit, Hoxha po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur zbehjen e aplikimit të femrave në polici. Sipas tij, ka rënë interesimi i tyre, porse ka shtuar se janë duke punuar në këtë drejtim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024