Përkujtohet heroi Mensur Zyberaj, Latifi: 28 maji u skalit me shkronja gjaku në histori
Lexohet për: 5 min.
rahovec-2-280523
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me rastin e 24-vjetorit të rënies së heroit të kombit, Mensur Zyberaj sot në Rahovec u bënë homazhe te busti i heroit. Po ashtu, u shënua dita e Qendrës Kulturore që mban emrin e heroit “Mensur Zyberaj”.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi deklaroi se heroi Mensur Zyberaj ishte ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së.

Ai tha se 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e qytetarëve të Rahovecit.

Latifi tha se në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” mblidhen për të evokuar kujtime e për të mbajtur aktivitete të ndryshme, qendër në të cilën të rinjtë zhvillojnë talentet, për të cilat siç u shpreh ai, luftuan e ranë dëshmorët tanë.

Ai shtoi se se organizimi i sa më shumë festave e ngjarjeve kulturore në Qendrën Kulturore “Mensur Zyberaj”, jo vetëm që përbën thelbin e ekzistimit të qendrës së kulturës, por është edhe mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin për të rënët.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Afrim Dina u shpreh se më 28 maj i prezantojnë të arriturat e qendrës kulturore, që mban me krenari emrin e heroit Mensur Zyberaj.

Me rastin e shënimit të ditës së Qendrës Kulturore “Mensur Zyberaj” u interpretuan këngë e poezi. Ndër personat që interpretuan ishte edhe vajza e heroit Mensur Zyberaj, Flaka.

https://kosovapress.com/admin/rahoveci-nderon-deshmoret-latifi-janari-skuqi-me-gjak-te-paster-token-shqiptare/

Dëshmori i kombit, Mensur Sefer Zyberaj është i lindur më 7 korrik të vitit 1965 në fshatin Drenaj të Anadrinit.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, i ndjekur “për veprimtari armiqësore ”Mensur Zyberaj” është regjistruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë studimeve, duke kaluar shtigjeve kah dituria dhe liria, ka zgjeruar veprimtarinë dhe rrethin e shokëve. Fakulteti, studimet dhe veprimtaria patriotike e ka lidhur ideali i bashkimit kombëtar dhe kështu Mensuri është lidhur edhe me: Lahi Ibrahimajn, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nuri Behxhetin, Nait Hasanin, prof. Muhamet Malësorin dhe prof. Ukshin Hotin dhe në Prishtinë është faktorizuar së bashku me Feim Gashin e Muhamet Malësorin në organizimin e rezistencës së armatosur për çka e frymëzonte veçanërisht prof. Ukshin Hoti, “Promethe i Shtetësisë së Kosovës”.

Më 12 dhjetor, ai është rreshtuar në “Eshalonin e Mujë Krasniqit” dhe me luftime nëpër dëborë e stuhi ka arritur edhe një herë në Kosovë, por tash pa dyzetë shokë e pa dhëndrin Isaj Muharrem Morina nga Franjaka e Anadrinit.

Marsi i vitit 1998, dëshmorin e kombit, Mensur Zyberaj e ka gjetur nëpër luftimet përreth “Qafës së Pagarushës”, prilli nëpër “Malet e Berishës” prej nga ka zbritur në Rrafshin e Anadrinit; aty është gjetur së bashku me komandant Tahir Sinanin dhe koordinojnë taktikën për t’u inkorporuar në operacionin “Shigjeta” në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë e së andejmi deri në fshatrat përreth Drinit të Bardhë.

Më 26, 27 e 28 maj të vitit 1999, Anadrini është rrethuar përsëri pasi që forcat e mëdha serbe kanë ndërmarrë “krehjen me këmbësori” prej “Rrihjeve” të Rahavecit në drejtim të “Hamoceve”, “Pisjakut”, “Bërnajakës”, “Rrapishteve”, “Izbishtit” e kah “Lugu i Qëndresës”, ndërmjet fshatrave: Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterrush, Reti, Reti e Ulët dhe Qëndresë (ish – Randubravë) dhe kështu më 28 maj kah ora ll, 30, janë ballafaquar forcat serbe me luftëtarët e lirisë dhe luftimet kanë zgjatur deri në shkatërrimin total të forcave të Milintijeviqit. Në fushën e nderit të altarit të lirisë në kodrat dhe lugjet e Mileskës kanë rënë: Habib Gashi, Kurtish e Nazmi Hasani, Ismajl Gashi, Bedri Berisha i Valljakës, Manush Berisha, Agron Bytyçi dhe komandant “Pesqinshi” – Mensur Zyberaj i Drenajt të Rahavecit. Por, në këtë betejë duke bërë rezistencë e sulme të parreshtura mbi forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe bri “Lugjeve të Mileskës” janë plagosur rëndë edhe Rexhep Krasniqi, Selim Gashi e Isa Gashi.

Forcat serbe, pjesa e mbetur, është dëbuar në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë kurse luftëtarët e Adem Jasharit janë pozicionuar në aksin e përmendur rrugor te “Ura e Piranës”, ku edhe kishte filluar lufta në fshatrat e Anadrinit më 26 prill të vitit 1998.

Serbët nuk kishin arritur t’i merrnin trupat e dëshmorëve Habib Gashi, Bedri Berisha e Kurtish Hasani, por e kanë marrë Mensur Zyberajn dhe Ismajl Gashin. Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, trupat e pajetë të Mensur Zyberajt, Bekim Gashit, Dalip Behrës e të Ismajl Gashit janë zbuluar në varrezat e Prizrenit.

Rivarrimi i dëshmorit Mensur Zyberaj është bërë më 30 qershor të vitit 1999 në fshatin Drenaj të Rahavecit pranë dëshmorëve: Bedrush e Feim Gashi, Tafil Zyberaj e viktimave të luftës, të cilëve i është bashkuar edhe Isuf Berisha, i ekzekutuar në Burgun e Dubravës./KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024