Përkujtohet heroi Ali Ajeti në 35-vjetorin e rënies
Lexohet për: 3 min.
30.5.2024 - ZKM (12)
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të organizuar në nderim të jetës dhe veprës së heroit të kombit, Ali Ajeti, në përvjetorin e 35-të të rënies.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se Ali Ajeti ishte i përkushtuar për Kosovën me gjithë qenien e tij, e tërë jetën kushtuar lirisë së Kosovës.

“Teksa sot bëhen 35 vjet nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti, duhen edhe dy javë që të bëhen 25 vjet nga ardhja e lirisë për Kosovën. Pra në këtë rast, mosha nga rënia e dëshmorit Ali Ajeti është për 10 vjet më e madhe se mosha e lirisë sonë që e gëzojmë, që e jetojmë edhe si rezultat i veprës dhe rënies së Ali Ajetit. Kjo, sepse për lirinë e Kosovës, populli i saj ka nisur të paguaj shumë herët, që para se të fillonte lufta çlirimtare, meqë rezistenca dhe betejat për lirinë e Kosovës, janë vite dhe dekada më të hershme se lufta 1998 e ’99 kur ato kulmuan”, tha ai.

Duke folur për marsin e vitit 1989, kryeministri Kurti veçoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovës nga Serbia dhe ditë më pas miratimin e disa ndryshime kushtetuese me të cilat Serbia i dha vetes arbitrarisht kompetenca shtesë mbi Kosovën dhe rrjedhimisht suprimimin e autonomisë së Kosovës. Kjo i paraprinë organizimit dhe ekzekutimit të një aksioni të armatosur më 27 mars 1989, ku mbeti i vrarë një polic, i plagosur një tjetër nga grupi që njihej si “Çeta e Llapit”, i cili drejtohej ushtarakisht nga Ali Ajeti, kurse politikisht nga Sabri Kiçmari.

“Mes dhjetëra organizatash ilegale të formuara dhe të shpërbëra në Llap që në vitet e ’50-ta, Çeta e Llapit ishte organizata e parë në Kosovë që kishte karakter ushtarak, pra të një rezistence të armatosur. Çeta e Llapit ishte trashëgimtare e një grupi edhe më të hershëm i quajtur “Grupi ilegal i Llapit”, i formuar që më 10 korrik të vitit 1981 në Podujevë, nga Ali Ajeti, Avdi Gjata dhe Hamit Hamiti”, tha Kurti.

Shumë anëtarë të këtij grupi ishin arrestuar e burgosur politikisht në atë kohë, përfshirë edhe Ali Ajetin, që u dënua me pesë vjet burgim.

Pas lirimit nga burgu, Ali Ajeti iu rikthye angazhimit për lirinë e popullit dhe çlirimin e vendit të tij. Më 30 maj, 1989, në ditën kur në Kosovë po ndodhej një delegacion i Parlamentit Evropian për ta parë gjendjen e shqiptarëve, në Podujevë Ali Ajeti me shokët e Çetës së Llapit, organizuan një demonstratë masive. Policia e Serbisë reagoi dhunshëm ndaj demonstruesve, ku Ali Aliu rezistoi me armë derisa u vra.

Në këtë akademi një fjalë rasti ka mbajtur edhe Isë Ajeti, i cili në emër të familjes së heroit, falënderoi të gjithë ata që dhanë kontribut në realizimin e dokumentarit dhe shënimit të kësaj dite. 

Në akademi përkujtimore, ku të pranishëm ishin familjarë dhe bashkëveprimtarë të Ali Ajetit, deputetë, drejtues e përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, u shfaq edhe dokumentari për veprën dhe jetën e Ali Ajetit dhe “Çetës së Llapit”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024