Jeton në në Suedi, por shkrimtari dhe përkthyesi kosovar, Sokol Demaku përkthen edhe poetë bullgarë dhe harton antologji, të cilat i boton në vendin ku qëndron. Së fundmi ai ishte në Sofje me shkrimtarët shqiptarë Hamit Gurguri dhe Bakhtir Latifi me ftesë të Unionit të Shkrimtarëve Bullgarë.
Në një intervistë për BTA, Demaku ka folur për punën e tij me gjuhën dhe letërsinë bullgare.
Duke shpjeguar origjinën e lidhjes së tij me letërsinë bullgare, Demaku ka thënë se tash e 12 vjet po boton një antologji poetike për një festival të poezisë në Suedi, ku marrin pjesë poetë dhe shkrimtarë nga e gjithë bota.
Autorja e parë bullgare në antologji ishte Slavka Marinovska nga Plovdivi, të cilën e zbuloi në internet së bashku me shkrimtarë të tjerë bullgarë rreth katër vjet më parë. Antologjia e fundit përmban shtatë autorë bullgarë, ka vënë në dukje Demaku.
Në shtator do të shpallet konkursi për festivalin e ardhshëm të poezisë dhe mund të aplikojë çdo shkrimtar, ka thënë Demaku.
“Aktualisht jam duke përkthyer një antologji në gjuhën shqipe, suedeze, maqedonase dhe bullgare. Për mua gjuha bullgare është shumë e bukur. Para pesë-gjashtë vitesh punova si mësues në një shkollë fillore në Suedi dhe atje kam pasur një nxënës nga Bullgaria që nuk dinte asnjë fjalë suedisht. Për këtë arsye kam shfrytëzuar çdo mundësi për të biseduar me të në bullgarisht dhe kjo ka qenë shumë e këndshme për mua”, ka thënë Demaku.
Demaku është poet, shkrimtar, përkthyes, mësues, publicist, botues dhe gazetar.
Ai boton revistën kulturore Dituria në Boras, Suedi, ku është i përfshirë edhe në radiostacionin lokal në shqip, Radio Dituria dhe TV Dituria.
Përkthimi i tij më i njohur është Fakulteti i Ëndrrave të Sara Stridsberg nga suedishtja në shqip.
Në vitin 2021, ai fitoi çmimin ‘West Culture Prize, për letërsinë në Goteborg.