Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të katërt në gjykimin kundër Pjetër Shalës në Hagë. Para trupit gjykues ishte paraqitur edhe një person i cili pretendon se babai i tij u kidnapua në Shqipëri dhe u keqtrajtua pastaj për disa ditë në Kukës. Me këtë dëshmitar ka përfunduar edhe seanca ndërsa gjykimi do të vazhdojë nga data 1 maj.
Sipas dëshmitarit, babai i tij e kishte njohur Pjetër Shalën vetëm gjatë kohës që sipas tij ishte kidnapuar dhe jo si rezultat i punës që bënte si polic deri në vitin 1997.
Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, ai ka thënë mbajtja e babait të tij në Kukës ka ndikuar negativisht në jetën e gjithë familjes më pas.
Ai ka thënë familja e tij ka dashur të bëhet pjesë e UÇK-së por sipas tij kjo ka qenë e pamundur për shkak të angazhimit të babait të tij në polici deri në vitin 1997.
Ndërsa në fund të seancës, gjykatësi Zhilber Biti ka pasur disa pyetje sqaruese por seanca është transmetuar me përmbajte të redaktuar.
Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Pas këtij rasti, dëshmitarët kanë thënë se familja e tyre është larguar nga ai fshat, ndërsa një vit më vonë, në kohën e bombardimeve të NATO-s ishin larguar për në Shqipëri.
Atje, sipas tyre, babai i tyre ishte kidnapuar dhe mbajtur pastaj për gati dy javë në një fabrikë metali në Kukës.
Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.