Kanë përfunduar gërmimet në tunelin e Llogarasë, një prej fazave të punimeve, ndërsa e gjithë vepra infrastrukturore pritet të hapet në fillim të muajit qershor të vitit të ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili inspektoi punimet këtë të martë i shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku.
Sipas kreut të qeverisë, Tuneli i Llogarasë do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të Jonit, si dhe do të rrisë standardet e sigurisë rrugore.
Zv.kryeministrja Balluku, njëherazi edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Ebergjisë, u shpreh se punimet kanë vijuar me shpejtësi, kjo edhe për shkak të kushteve gjeologjike që kanë qenë të përshtatshme.
“Synimi ynë është që në sezonin e 2024, pra 1 qershorin e 2024 e gjithë vepra, pra 7. 4 km, sepse 6 km është tuneli dhe 1. 4 janë rrugët ndihmëse dhe lidhëse, urat që do të lidhen direkt me pjesën e Palasës të jenë gati në 1 qershor dhe operative për të qytetarët. Ky është synimi i gjithë grupit. Gjeologjia ka qëne e mirë, krahasuar me punimet e tuneleve të tjera, si ai në rrugën e Arbrit", tha Balluku.