Përfundoi bastisja, Qerkini: Nuk ka urdhër arrest për Behramajn
Lexohet për: 3 min.
qerkini-2202223
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ekipet e Speciales kanë kryer bastisje në banesën e Adil Behramajt, i cili ishte këshilltar i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Avokati i Behramajt, Artan Qerkini ka deklaruar se kjo është bërë me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara dhe lidhet me një pretendim të Prokurorisë se Specializuar për një vepër penale që sipas tyre është brenda juridiksionit të këtyre dhomave.

Pas përfundimit të bastisjes, Qerkini ka thënë se nuk ka urdhër arrest për Behramajn.“Sot me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara është bastisur banesa e zoti Adil Behramaj në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specilaizuar për një vepër penale e cila sipas tyre është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e ka parë vendimin, e ka bërë një vlerësim fillestar të tij. Mendojmë se ky vendim në disa pika është i përfshirë në shkelje kushtetuese mirëpo ne këto çështje do t’i adresojmë në momentin e duhur procedural”, ka thënë Qerkini.

Ai ka thënë se nuk është specifikuar për çfarë vepre bëhet fjalë derisa ka shtuar se nuk dihet nëse ka lidhje me rastin e Thaçit.

“Nuk është specifikuar, është specifikuar vetëm një hetim për një vepër penale e cila bie sipas tyre nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara …. Është shumë herët të thuhet një gjë e tillë, ata nuk kanë dhënë komente se për çfarë hetimi bëhet fjalë, zoti Behramaj nuk është njoftuar as për shkakun as për bazën e akuzave potenciale kundër tij. Kështu është fazë shumë e hershme e hetimit dhe këto informata nuk i janë dhënë mbrojtjes, për këtë arsye nuk dëshirojmë të spekulojmë”, ka thënë Qerkini.

Para mediave ka daluar edhe Adil Behramaj i cili nuk ka dashur të komentojë rastin.

Po rezervohem prej komentimit kështu që fjalën po ja kaloj avokatit Artan Qerkini”, ka thënë shkurt Behramaj.

Bastisja në banesën e Behramajt ka filluar rreth orës 08:30 dhe ka zgjatur dhjetë orë.

Rreth këtij operacioni nuk kanë folur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i komenton hetimet e saj”, kanë thënë në një përgjigje për KosovaPress.

Gjatë operacionit janë parë ekipe të EULEX-it ndërsa jashtë ndërtesa është ruajtur nga pjesëtarë të Policisë se Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025