Perdikaris: Kosova është duke u zhvilluar shpejtë, shteti duhet të investojë më shumë në media
Lexohet për: 5 min.
perdiakriss-110224
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Mediat duhet të luftojnë keqinformimin dhe dezinformimin dhe të përshtatemi me çdo zhvillim teknologjik, si AI, investimi në përmbajtje dixhitale dhe media sociale. Kështu deklaroi presidenti i Agjencisë greke të Lajmeve ANA-MPA, Aimilios Perdikaris, i cili thotë se mediat para se të raportojnë për ndonjë ngjarje, duhet të shikojnë nëse burimet që marrin janë të sigurta.

Perdikaris në një intervistë për KosovaPress, konsideron se mediat në Kosovë janë duke u zhvilluar mjaft shpejtë dhe nuk kanë dallim nga vendet tjera, porse thotë se shteti duhet të ndihmojë, pasi siç thotë ai, mediat që punojnë në mënyrën e duhur, mund të ofrojnë më shumë demokraci dhe më shumë zëra për t'u dëgjuar dhe kjo është mirë për vetë vendin.

Ai thotë se e rëndësishme për agjencitë e lajmeve është bashkëpunimi.

“Ne duhet të kapërcejmë të gjitha pengesat dhe të përballemi me sfidat e vjetra. Ne duhet të luftojmë keqinformimin dhe dezinformimin, duhet të përshtatemi me çdo zhvillim teknologjik, si AI, si investimi në përmbajtje dixhitale dhe media sociale. Mendoj se nëse flasim veçanërisht për agjencitë e lajmeve, një gjë shumë e rëndësishme është bashkëpunimi dhe jam shumë i lumtur që në agjencinë greke të lajmeve, Agjencinë e Lajmeve ‘Athens-Macedonian’, kemi bashkëpunim dypalësh me shumë agjenci të tjera në rajon dhe në Evropë gjithashtu. Dhe sigurisht ne jemi anëtarë aktivë të të gjitha sindikatave evropiane dhe botërore dhe forumeve të tjera, të cilat mund të na ndihmojnë të zhvillojmë strategjinë tonë dhe të zhvillojmë produktin tonë gazetaresk, në mënyrë që të ofrojmë lajme më të sakta dhe më të shpejta për klientët tanë”, thotë ai.

I njëjti thotë se mediat duhet të jenë më të kujdesshme në besueshmërinë e burimeve, për çfarë thotë se në këtë drejtim agjencitë e lajmeve janë burim i besueshëm.

“Ne e dimë që tani kemi gazetarinë e mediave sociale, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm për besueshmërinë e burimeve tona dhe për këtë arsye agjencitë e lajmeve, mendoj se ato janë një burim i besueshëm, prandaj kontrollimi i tyre, informacioni, ata janë duke kryer kontrolle faktesh dhe kontrolle të tjera që mund të sigurojnë që përmbajtja e tyre, përmbajtja e lajmeve të tyre është më e saktë dhe më e besueshme se të tjerat, sesa mediat e tjera, sepse ky është roli ynë, roli ynë është të jemi burim për mediat e tjera, ky është roli ynë për të raportuar për të qenë në fushë, për të raportuar gjithçka që po ndodh. Dhe kjo është arsyeja pse ne po përdorim burime të tjera, si mediat sociale, dhe po kryejmë këto kontrolle që përmenda më herët, dhe jo vetëm puna jonë të bazohet në këto burime përpara se të kontrollojmë me stafin tonë, me rrjetin tonë, se çfarë po ndodh realisht”, shton Perdikaris.

Duke folur për rëndësinë e mediave, ai potencon se investimi më i rëndësishëm në to është një staf i arsimuar dhe që kanë njohuri me zhvillimet.

“Për suksesin është një pyetje shumë e vështirë sepse ne dëshirojmë të shkojmë më tej, dëshirojmë të shkojmë gjithnjë e më mirë. Ju duhet të krijoni zhvillim, duhet të vendosni se jeni duke zhvilluar vazhdimisht përmbajtjen tuaj, organizatën tuaj në përgjithësi. Pra, mendoj se është një pyetje e vështirë dhe nuk mund të përqendrohem në një gjë të veçantë. Bëhet fjalë për shumë gjëra, por nëse mund t'i referohem vetëm një gjëje, duhet të them se stafi, një staf i arsimuar dhe njohur me zhvillimet, me mediat dixhitale dhe mediat sociale është investimi më i rëndësishëm për çdo agjenci lajmesh këtu”, shprehet Perdikaris.

Në këtë drejtim, ai thotë se Kosova është duke u zhvilluar shpejt, mirëpo konsideron se shteti duhet të investojë më shumë në media.

“Pikërisht si shtet, mendoj se po zhvillohet shpejt dhe nuk kanë ndonjë ndryshim me mediat e tjera, me mediat e vendeve të tjera. Dhe gjithashtu jam i lumtur që jam këtu me miqtë tanë nga KosovaPress dhe kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe besoj se do të vazhdojë edhe në të ardhmen...Ne fakt si agjenci lajmesh shumica e agjencive te lajmeve financohen nga shteti, po përveç kësaj po jetojmë kohe te vështira, kishim pandemi, kishim shume kriza, kriza te njëpasnjëshme dhe po ashtu si bizneset e tjera që u ndihmuan nga shteti, mendoj se shteti duhet të ndihmojë edhe mediat. Sepse mediat që punojnë në mënyrën e duhur mund të ofrojnë më shumë demokraci dhe më shumë zëra për t'u dëgjuar dhe kjo është mirë për vetë vendin”, përfundon Perdikaris.

Ai mori pjesë konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”, nikoqire e së cilës ishte Agjencia e Lajmeve KosovaPress.

Gjatë konferencës, ai ka theksuar se si agjenci janë duke punuar mjaft shumë për sigurinë e gazetarëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024