Për më pak se 2 muaj, 36 mjekë u larguan nga sektori publik shëndetësor
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
As rritja e pagave si duket nuk po e ndal eksodin e mjekëve nga sektori publik drejt atij privat apo spitaleve jashtë Kosovës. Vetëm në më pak se 2 muaj nga Shërbimi Klinik Spitalor Universitar i Kosovës, janë larguar 36 specialistë.
Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, i cili ka theksuar se këto shifra alarmojnë për një mundësi të madhe të largimit të mjekëve nga institucionet shëndetësore publike.
“Këto dy muaj ditë kemi 36 kolegë tanë që vetëm se kanë marrë dokumentacionin dhe janë në fazën finale apo vetëm se kanë ecur dhe ky numër është indikacion që këtë vit do të kemi më shumë se vitin e kaluar që kanë qenë 210. Është dekurajues por të shikojmë se në Ministrinë e Shëndetësisë ka një dinamizim të punëve të aktiviteteve të shikojmë se sa mund të ndikohet”, është shprehur Sejdiu.
E ndonëse, tashmë pritet që pagat e muajit shkurt të dalin me rritje, sipas Ligjit të ri të Pagave, kjo sipas Sejdiu, nuk pritet të ndikojë që mjekët të mos e lënë publiken për privaten.
Sipas tij, krahas pagës një komponent e rëndësishme e këtyre profesionistëve shëndetësorë që po vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në spitale private, është edhe mungesa e presionit dhe kushtet e punës.
“80% prej tyre nuk kanë qenë të kënaqur me shumën e koeficientit dhe ne e kemi publikuar këtë. Pse kjo sipas të gjitha gjasave është pritur një shumë më e madhe për koeficentë dhe në këtë drejtim është zhgënjimi. Se sa do të ndikojë nuk jam shumë i sigurt, mund të ndikojë tek specializantët apo mjekët e rinj nëse përmbushet edhe kushti i punësimit se ka shumë të papunë janë diku 360 të papunë. Kurse, tek mjekët, të cilët janë me mendim apo mëdyshje në sektorin privat nuk do të ndikojë shumë. Të shikojnë se sa do të jetë ai ndikim, por nuk besoj se do të ndikojë shumë për shkak se paga është vetëm një komponent dhe komponenta kryesore, të cilët janë duke lëshuar mjekët tanë janë presioni në punë, kushtet e punës këto janë ato kryesore, qetësia në punë është më e mirë në sektorin privat krahas pagesës”, ka theksuar Sejdiu.
Lidhur me paralajmërimet e Ministrisë së Shëndetësisë se së shpejti do të hapë konkurs për specializantë, Sejdiu shpreson që të bëhet një planifikim i mirëfilltë.
Për udhëzimin administrativ për shkollim specialistik, kryetari i OIK ka konsideruar se është më i mirë se ai i kaluari, pasi është më preciz.
“Shpresojmë që ministrja e Shëndetësisë do të bëjë një planifikim të mirëfilltë, ku do të bëhet një analizë se sa specializantë do t’i kemi, kur ata do të përfundojnë, cilat janë degët prioritare dhe a do të jetë ai numër i limituar pasi që duhet t’i ikim me çdo kusht një katrahure, e cila ka ndodhur para disa viteve, dhe katrahurë, e cila në të vërtet ka stimuluar numrin e largimeve, prej 211 janë rreth 60 specializantë, të cilët janë larguar dhe shumica prej tyre për shkak të kushteve të patolerushëm të specializimit…Nëse këto nuk rregullohen do të jetë një dështim prapë…Është shumë më mirë sesa ai i kaluari nëse inkorporohen këto disa komente tona dhe Fakultetit të Mjekësisë, është shumë më preciz që obligon edhe specializantin, por edhe mentorët, por kemi disa dallime në mendime në formën se si duhet të shkojmë. Ne në vazhdimësi tash e sa vite insistojmë që kjo të rregullohet me ligj e jo me udhëzim administrativ”, ka shtuar ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ditë, më parë ka deklaruar se udhëzimi administrativ për shkollimin specialistik është në fazën finale. Ai ka njoftuar se pas konsultimeve publike dhe nënshkrimit nga ai, do të hapet konkursi për specializantët.
E në vitin e kaluar sektori publik shëndetësor i Kosovës është përballur me ikje të madhe të mjekëve, qoftë në sektorin privat, por edhe jashtë vendit. Për 12 muaj ShSKUK-në e kanë lënë mbi 210 mjekë./B.Ibishi/