Ministri i Mbrojtjes së Shqip0ërisë, Niko Peleshi zhvilloi një bashkëbisedim online me të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në misione jashtë vendit.
I shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Brigade Arben Kingji, Ministri Peleshi i përgëzoi ata për kontributin dhe punën e bërë gjatë këtij viti tejet të ngarkuar për sigurinë dhe paqen në botë.
Peleshi e nisi bisedën me misionin e Shqipërisë pranë KFOR në Kosovë, duke folur edhe për situatën atje.
“Së fundmi tensioni është rritur. Ju jeni pjesë e KFOR, e strukturës së NATO-s që garanton sigurinë. Të gjitha fenomenet që kërkojnë të krijojnë destabilitet në rajon janë derivat i asaj çka ndodhi në shkurtin e këtij viti në Ukrainë dhe vazhdon të jetë sot një nga shqetësimet kryesore të botës. Kjo ngjarje na vuri përpara detyra, të cilat nuk i kishim menduar në një kohë kaq të afërt, lidhur me modernizimin, lidhur me investimet në arsimim, në shtimin e prezencës sonë në misione ndërkombëtare, pra në ndërtimin e Force të Armatosur më të fortë, më të aftë dhe më shpresëdhënëse për të gjithë bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, por edhe në rajon, për të garantuar paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe në të gjithë hapësirën e Aleancës së NATO-s”, theksoi ministri Peleshi.
“Ju bëni krenar sot të gjithë popullin shqiptar. Ju jeni një vlerë e shtuar edhe në NATO. Ndonëse jemi një popull i vogël, një aleat i vogël, ne duam të tregojmë se nuk jemi vetëm konsumatorë, por edhe duam të kontribuojmë. Ne jemi me forca më të shtuara në misionet e NATO-s. Kemi një reputacion shumë të mirë. Ju na keni hapur syrin dhe na keni dhënë gjithë të drejtën të kemi një pozicion shumë të merituar në NATO”, u tha Peleshi përfaqësuesve të Shqipërisë në misionet ndërkombëtare.
Gjatë bisedës, Peleshi foli edhe për objektivat që Ministria e Mbrojtjes ka për vitin 2023.
Sipas tij, në 2023 fillon puna për ndërtimin e korpusit të Akademisë së FA, ndërsa flota e Forcës Ajrore do të shtohet edhe me helikopterë të tjerë “Black Hawk”, duke e çuar në 6 numrin e helikopterëve.
Ministri i Mbrojtjes u shpreh se është bërë mjaft progres në punën për ndërtimin e bazës së parë taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë dhe pritet që për rreth një vit ajo të jetë gati.
Duke uruar përfaqësuesit që do ta kalojnë Vitin e Ri në misione jashtë vendit, ministri Peleshi tha se viti që vjen do të jetë më i mirë edhe për sigurinë, pasi të gjithë aleatët janë bashkuar në krahun e paqes.
Edhe Shefi i Përgjithshëm i Shtabit të Armatosura Gjeneral Brigade Arben Kingji vlerësoi misionin e përfaqësuesve tanë.