Peci-PDK-së për hetime: Durim o horra e kriminelë, s’mund të më ndalni as me plumba
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 orë më parë
Linku u kopjua

Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka reaguar ndaj kërkesës së PDK-së për shkarkimin e tij pas keqpërdorimeve në këtë ministri me grante, duke përdorur fjalët “horra” dhe se “nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba”.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar sot nga institucionet e drejtësisë të nisin hetim ndaj ministrit Peci, si dhe shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së komisionit parlamentar për bujqësi, pasi vëllai i kësaj të fundit ka përfituar grant me vlerë rreth 100 mijë euro.

Drejtues të PDK-së, kanë deklaruar se ky skandal dhe keqpërdorim i parë publike tregon qasjen e Qeverisë Kurti.

Por, ministri Peci këto i ka quajtur “shthurje mentale të akuzave e shpifjeve”, madje ka përdorur edhe fjalën “kriminel”.

“E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime! Veç pritni kriminelë. Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t'iu demaskoj si kurrë më parë!  Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim!  Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka shkruar ministri Peci në Facebook.

Në konferencën e sotme, PDK-ja tha se kryetarja e Komisionit të bujqësisë, Fitore Pacolli, duhet të shkarkohet pasi ka ushtruar ndikim për përfitimin e një granti në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllai i saj, teksa për ministrin Peci “as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë”, duke kërkuar nisjen e hetimeve ndaj tij.

“Të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që vëllai i deputetes Fitore Pacolli të përfitojë grantin dhe të hetohet nëse ky përfitim është rezultat i varësisë zyrtare që ministri i Bujqësisë ka në raport me kryetaren e Komisionit parlamentar për bujqësi. Zyrtarët më të lartë të shtetit përfitimin e këtij projekti nga vëllai i deputetes Pacolli po e mbrojnë dhe arsyetojnë me arrogancë”, tha Arben Mustafa, anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024