Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar qeverinë se në vendin tonë ka një numër të madh të bizneseve që kanë shuar veprimtarinë e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
Deputetja Musliu në seancën e sotme parlamentare theksoi se çdo ditë po raportohet për mbyllje të bizneseve dhe sipas saj numri i tyre ka kaluar shifrën katër shifrore ose me mijëra sosh.
“Arsyeja kryesore e mbylljes së bizneseve është për mungesë të klasës punëtore, që nënkupton se punëtorët në Kosovë keqtrajtohen prej pronarë të bizneseve, nuk kanë kontrata, nuk kanë sigurime, nuk respektohen oraret. Dhe ata punëtorë janë të detyruar që të presin sot para ambasadave të Evropës për viza të punës. Vet fakti që kjo qeveri nuk ofron asnjë shpresë që për ata punëtorë në sektorin privat do të vijnë ditë të mira ku do të respektohet djersa dhe mundi i tyre, sot mijëra biznese po mbyllën në Kosovë”, tha ajo.
Ndërsa, ministrja e MINT, Hajdari duke kundërshtuar se ka numër të madh të bizneseve të shuara, ajo përmendi se ka rritje të numrit të kompanive të regjistruara.
Kuvendi aktualisht është duke shqyrtuar plotësim ndrsyshimin e Ligjit për ndarjet buxhetore 2023, përkatsisht koeficientin për pagat të propozuar nga qeveria në vlerë prej 105 euro.