Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një tubim zgjedhor në komunën e Skenderajt, ku morën pjesë drejtues të lartë të partisë, kandidatë për deputetë, familjarë të dëshmorëve, veteranë, invalidë të luftës dhe qytetarë të shumtë.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë fjalimit të tij vlerësoi rolin historik të Drenicës në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke e cilësuar këtë rajon si simbol të sakrificës dhe patriotizmit shqiptar.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe lidership me rezultate konkrete, duke premtuar mbështetje për bizneset, krijim të vendeve të reja të punës dhe rritje të buxhetit të shtetit.
Gjatë tubimit, Hamza prezantoi edhe zotimet e tij programore për sektorin publik, familjet e dëshmorëve, veteranët, shëndetësinë dhe arsimin.“E kur të rritet buxheti i Kosovës, po, me Partinë Demokratike të Kosovës 50% do të rriten pagat për të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Kosovë: edhe për mësuesit, edhe për arsimtarët, edhe për profesorët, edhe për policët, edhe për zjarrfikësit, edhe për personelin shëndetësor, edhe për të gjithë ata që marrin paga përmes buxhetit të Kosovës”, tha Hamza.
Në pjesën tjetër të fjalimit, kandidati i PDK-së kritikoi qeverinë aktuale për, sipas tij, mungesën e realizimit të projekteve infrastrukturore dhe investimeve strategjike në vend, duke përmendur një sërë projektesh rrugore dhe energjetike që ende nuk kanë përfunduar.
“Vota për Partinë Demokratike është votë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin”, u shpreh Lushtaku.