PDK kërkon ulje të taksave për derivatet e naftës
2-Second
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
PDK kërkon ulje të taksave për derivatet e naftës
PDK1234
25/03/2026 - 14:29
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar ulje të menjëhershme të taksave të derivateve dhe masa të tjera konkrete në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa në një konferencë për medie tha se prioritet i qeverisë mbetet mbledhja e taksave dhe ruajtja e tyre për shpenzime elektorale.

“Ne kërkojmë qartë ulje të menjëhershme të taksave mbi derivatet e naftës në mënyrë që çmimi të reflektojë realitetin ekonomik të qytetarëve dhe jo vetëm interesin fiskal të qeverisë. Kërkojmë masa konkrete  dhe të drejtpërdrejta për mbrojtjen e bujqve dhe prodhuesve vendorë, përfshirë subvencione shtesë dhe mbështetje për imputet bazë në këtë sezon kritik. Kërkojmë një plan emergjent të qartë dhe të matshëm për përballimin e rritjes së çmimeve që garanton stabilitet për qytetarët dhe bizneset. Kërkojmë fuqizim dhe dhënie në shfrytëzim të plotë të institucioneve të mbikëqyrjes së tregut”, u shpreh deputeti i PDK-së.

Mustafa tha se Kosova ka hyrë në një valë të re të rritjes së çmimeve që po nxitet nga rritja e çmimit të naftës.

Sipas tij, ekonomia dhe qytetari i Kosovës ka nevojë për dorën e shtetit, por që shteti po qëndron si spektator karshi rritjes së çmimeve.

“Kosova ka hyrë në një valë të re të rritjes së çmimeve. Pas rritjes së madhe të çmimeve që ndodhi nga viti 2022 qytetarët e Kosovës tani po ballafaqohen edhe me një valë të re të ashpër të rritjes së çmimeve e cila tani po nxitet kryesisht nga rritja e çmimit të naftës. Sot çmimi i naftës në Kosovës ka arritur në rreth 1 euro e 80 cent. Kjo është shumë, është e papërballueshme për vendin me të ardhurat më të ulëta në Evropë...03’20 Në një situatë të tillë ekonomia ka nevojë për dorën e shtetit qytetarët kanë nevojë për mbrojtjen e shtetit kundrejt çmimeve që çdo ditë e më shumë po gërryejnë standardin e tyre të jetësës, mirëpo ajo dorë e shtetit nuk po shihet sepse ata që sot e qeverisin Kosovën janë po të njëjtit që e kanë qeverisur edhe në vitin 2022, kur lejuan që vala e inflacionit të shpërthen lirshëm pa asnjë reagim  nga qeveria. Këtë po e bëjnë edhe sot duke qëndruar spektator kundrejt një rritje të ashpër të çmimeve që po ndodh”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Mustafa ka komentuar edhe deklaratën e ministres së Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila se nuk ka mundësi për heqje të TVSH-së dhe akcizës për derivatet e naftës.

Për këtë, deputeti i PDK-së tha se qeveria nuk e ka vullnetin për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.

“Kjo qeveri nuk e ka vullnetin për të bërë asnjë ndryshim për sa i përket lehtësimit  të barrës tatimore për qytetarët, nga ajo çka ka thënë ministrja shihet se nuk është as opsion dhe as nuk është duke u konsideruar një veprim i tillë në kohën kur të gjitha shtetet e rajonit kanë ndërmarrë masa për të lehtësuar barrën tatimore. Kur i duhet për interesa zgjedhore për interesa të ngushta partiake gjejnë mënyra  për të sfiduar ligjin, kur nuk e kanë vullnetin t’i dalin në ndihmë qytetarëve atëherë fshihen pas ligjeve”, tha ai. /B.Ibishi/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026