Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar për korrupsion masiv qeverinë Kurti, në lidhje me procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë.
Në debatin parlamentar në Kuvend, deputeti, Ferat Shala tha se MMPHI ka trashëguar një borxh prej 52 milionë eurove në sektorin e ujërave. Sipas tij, ky borxh i mbetur ndër-vite nuk është trajtuar sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Ai tha se ministria përmes kuadrove të dirigjuara ka realizuar projektin të cilin e quajti më korruptiv të mundshëm me pasoja të mëdha për shtetin.
Ai pasi akuzoi qeverinë për mostransparencë, parashtroi disa pyetje për ministrin e MMPHI, Liburn Aliu.