Ushtria norvegjeze tha të hënën se ka dërguar ushtarë për të ndihmuar në ruajtjen e impianteve kryesore të përpunimit të naftës dhe gazit. Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të rritur nivelin e sigurisë mes dyshimeve se sabotimi shkaktoi rrjedhje në tubacionet e gazit Rrjedha Veriore.
Norvegjia, furnizuesi më i madh i gazit në Evropë dhe një eksportues i madh i naftës, javën e kaluar vendosi flotën e saj dhe forcat ajrore për të patrulluar zonat e naftës në det të hapur, dhe njoftoi se për ta bërë këtë do të merrte ndihmë nga Britania, Gjermania dhe Franca.
Megjithëse qeveria norvegjeze ka thënë se nuk ishte në dijeni të ndonjë kërcënimi specifik ndaj infrastrukturës së naftës dhe gazit, e pa të nevojshme të rriste sigurinë, për të ulur shqetësimet e punëtorëve atje.
Ndër objektet në tokë që morën mbrojtje policore dhe ushtarake të hënën janë terminalet e eksportit të gazit, Kollsnes dhe Nyhamna, uzina e gazit, Kaarstoe dhe rafineria e naftës, Mongstad. Deri tani nuk ka të dhëna për numrin e ushtarëve të armatosur në këto zona. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se rrjedhjet janë akt “sabotazhi” dhe janë zotuar se do të marrin masa për të mbrojtur infrastrukturën kritike evropiane./REL/