Pas liberalizimit të vizave, Bislimi: Kosova është e gatshme për hapat tjerë të integrimit
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili mundëson qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.

Akti ligjor u nënshkrua nga presidentja e Parlamentit Evropian (PE) Roberta Metsola dhe ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian (BE).

Pas kësaj, në konferencë për medie dolën euro-deputeti njëherësh raportuesi për Kosovën në çështjen e vizave, Thijs Reuten dhe zëvendëskryeministri për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.

Euro deputeti Reuten tha se me këtë vendim i vjen fund padrejtësisë ndër vite ndaj Kosovës.

Krahas kësaj, ai tha se nuk ishte i gëzuar me përfshirjen si kusht për liberalizimin e vizave me  funksionalizimit të sistemit ETIAS në BE. Mirëpo, ai tha se me rëndësi është që është vendosur 1 janari 2024 si datë e fundit për liberalizim të vizave.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se liberalizimi i vizave do ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, tha se do të ketë tetë muaj mundësi për t’i informuar qytetarët për detyrimet dhe kufizimet që ka heqja e vizave për Zonën Schengen.

I pyetur për qytetarët serb të Kosovës që kanë pasaporta serbe, euro deputeti Reuten tha se vetëm qytetarët e Kosovës që kanë pasaportë kosovare mund të udhëtojnë lirshëm pa viza në BE.

Lidhur me këtë foli edhe zëvendëskryeministri Bislimi, i cili tha se rregullat janë të qarta në lidhje me këtë çështje, derisa i bëri thirrje gjithë qytetarëve serb të Kosovës të pajisen me pasaportë të Kosovës.

Në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, Reuten tha se shpreson që BE-ja të  merret me aplikimin e Kosovës dhe proceset të tjera integruese.

Kurse, Bislimi tha se Kosova është e gatshme për hapat vijues për integrim në Bashkim Evropian.

“Jemi të gatshëm për hapin vijues. Marrëveshja e fundit midis Kosovës dhe Serbisë fillon me paragrafin ku dy vendet e njohin njëri tjetrin si partner të barabartë. Kjo do të duhej të përdoret si pikë fillestare, si palë të barabarta që të ecim parapara në procesin e euro integrimit. Duam të shohim të njëjtin frymë edhe për aplikimin tonë në Këshillin  Evropës por edhe për aplikimin për statusin e vendit anëtar”, tha ai./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024