Pas katër vjetëve Mali i Zi dërgon ambasadorë në Kosovë e Serbi
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Pas katër vjetëve Mali i Zi dërgon ambasadorë në Kosovë e Serbi
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Komiteti për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Kuvendit të Malit të Zi mbështeti propozimin e Qeverisë për emërimin e Bernard Çobaj dhe Nebojsha Gjokoviq si ambasadorë në Kosovë dhe në Serbi.

Me këtë vendim, pas katër vjetësh, do të plotësohen sërish pozitat e ambasadorëve në Prishtinë dhe Beograd.

Ambasadori i ardhshëm në Beograd mori mbështetje unanime, ndërsa për ambasadorin në Prishtinë nuk votuan deputetët e partive pro-rusë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq.

Ambasadori i mëparshëm i Malit të Zi në Prishtinë, Ferhat Dinoshi, u largua nga posti i tij më 2020, për shkak se kishte përmbushur kushtet për pensionim.

Ndërsa, ambasadori i mëparshëm në Beograd, Tarzan Milosheviq, u largua nga posti pas ndryshimit të pushtetit në Malin e Zi në vitin 2020. Ai ishte anëtar i Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila udhëhoq nga ish-presidenti Millo Gjukanoviq.

Ambasadori i ardhshëm në Kosovë, Çobaj, ishte deri së fund i ngarkuar me punë në ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë.

“Ambasada e Malit të Zi është njohur si një nga ambasadat më të dukshme në Kosovë. Kjo është kryesisht falë diplomacisë kulturore”, tha Çobaj.

Ai e karakterizoi marrëdhënien e dy shteteve si fqinje miqësore, të orientuara drejt një të ardhmeje evropiane. Para se të hynte në diplomacinë malazeze, Çobaj kishte punuar për shumë vjet në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë. Ai nuk është anëtar i asnjë partie.

Ndërsa, ambasadori i ardhshëm në Serbi është një përfaqësues i Nismës së Re Demokratike të Andrija Mandiq.

Pas marrjes së pajtimit nga shteti pritës dhe mendimit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kuvendit të Malit të Zi, presidenti i shtetit e emëron ambasadorin me dekret. Në rastin e Gjokoviq dhe Çobaj, mbetet që presidenti Jakov Milatoviq të nënshkruajë dekretin për emërimin e tyre.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025