Pasi kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova e anuloi vizitën e paralajmëruar në Kosovë, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se veprimtaria për komunikim dhe ndërgjegjësim do të zhvillohet tërësisht online.
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se kjo bëhet për shkak të preferencës nga një grup i madh i pjesëmarrësve për të marrë pjesë në këtë veprimtari përmes platformës online “Zoom”.
“Në vizitën, në të cilën kryetarja e DhSK-së, që ishte planifikuar më 4 korrik, në Gjilan, tani do të zhvillohet tërësisht online. Duke pasur parasysh preferencën e shprehur nga një numër i madh pjesëmarrësish për t'iu bashkuar eventit nëpërmjet Zoom, kryetarja e ka shtyrë udhëtimin e saj në Kosovë për pas sezonit së verës”, ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake, Pjetër Shalës i është vazhduar masa e paraburgimit.
Ai gjithashtu ka dhënë informacionet e përditësuara për zhvillimet në gjykatë që lidhen me procedurat gjyqësore.
Doyle ka bërë të ditur se më 21 qershor, kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi një trup gjykues të apelit për të vendosur lidhur me ankesat e paraqitura nga Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kundër aktgjykimit të 18 majit.
“Gjatë një konference para apelit, një personi në paraburgim, në pritje të apelit, i jepet mundësia të ngre çështje në lidhje me paraburgimin, duke përfshirë gjendjen mendore dhe fizike të personit në një seancë dëgjimore publike”, ka thënë ai.