Partitë e vogla në Kosovë po kërkojnë uljen e pragut zgjedhor për zgjedhjet parlamentare dhe financimin e subjekteve politike jo parlamentare.
Në një dëgjimin publik për ndryshim-plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, përfaqësuesit e këtyre partive kërkuan edhe zbritjen e shumës së gjobave për subjektet politike.
Megjithatë, për shpenzimet që për secilin e aktivitet duhet të raportohen në fund të muajt, Gashi tha se kjo është procedurë burokratike.
“Si Vetëvendosje e përkrahim projektligjin e propozuar nga qeveria. Mendoj se ky projektligj e avancon bazën ligjore dhe rrit transparencën si dhe llogaridhënien e subjekteve politike. Por, do të kisha përmendur dy çështje që më shumë janë teknike, për të cilat mendoj se do të ishte mirë të shqyrtohen ose të ridefinohen nga Grupi punues i Komisionit. E para ka të bëjë me kufizimin e subjekteve politike për të pasur një llogari bankare, pra një llogari të vetme bankare. Po ashtu, është edhe një çështje tjetër që duhet të ridefinohet - është te shpenzimet për secilin aktivitet që kërkohen të raportohen në fund të muajit. Kjo i kufizon partitë politike në punën e tyre, kështu që më shumë është një procedurë burokratike”, theksoi ai.
Me këtë plotësim-ndryshim të ligjit, Gjoshi tha se cenohet rëndë autonomia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“Ne do të kemi tendencë të gjithë që ta rrisim transparencën te çështja e financimit të partive politike edhe t’i bëjmë të implementueshme ligjet. Mendoj se si i tillë Ligji (projektligji) është antikushtetues. Drafti i propozuar cenon rëndë autonominë e Komisionit Qendror Zgjedhor. Kështu cenon rënd edhe funksionimin e subjekteve politike dhe vështirëson punën e tyre… Ka gjoba të larta që janë të papërballueshme, një gjobë mund të shqiptohet deri në 40 mijë euro është e papërballueshme për një parti që ka një deputet në kuvend ose edhe për një që nuk ka deputet… Ne propozojmë të shikohet mundësia që Ligji të bartet te pjesa e pakove të ligjeve për zgjedhjet. Nuk është mirë që me copëza të ndryshohen ligjet. Nëse nuk gjendet ky vullnet, të paktën Ligji për zgjedhjet të përgjithshme në asnjë mënyrë nuk duhet të ndryshohet në fazë, sepse është antikushtetues drafti i propozuar”, tha ai.
“Kurrë më tepër se sot, shteti, organi ligjvënës duhet të hartojë politika publike të cilat do të ndihmojnë partitë politike për funksionimin e tyre, e kam fjalën te financimi që duhet të bëhet nga shteti për partitë politike edhe sa i përket aktivitetit të tyre dhe gjatë fushatës zgjedhore, dhe të mos bëhet financimi vetëm për partitë politike që kalojnë pragun 5 për qind… Sa i përket ligjit zgjedhor, kemi parë që keni forcuar shumë mirë Zyrën për regjistrim, kontroll, monitorim dhe financim të partive politike, përderisa nuk iu ka shkuar vëmendje te financimi i partive politike… Sot për mendimin tonë nuk ka kuptim pragu zgjedhor 5 për qind”, theksoi ai.
Heqjen e pragut 5 për qind e ka kërkuar edhe Zef Morina nga Partia Shqiptare Demokristiane.
Nol Nushi nga PSD-ja tha se projektligji në fjalë nuk është në frymën e demokracisë. Teksa tha se me këtë projektligj ka një qasje sikur partitë politike janë organizata kriminale.
“Fryma e ligjit nuk po më duket që i përshtatet një fryme për demokracinë, sepse po më duket që është evidente një kontroll dhe sanksionim. Ka një qasje thuajse partitë politike janë organizata kriminale për të cilat ne duhet kujdes për monitorim deri thelb se mos po ndodhin keqpërdorime. Ne po flasim për një fond prej 5 milionë eurosh, i cili ndahet mes disa partive politike që e kanë kaluar pragun. Kjo formë e ndarjes së këtyre fondeve favorizon partitë e mëdha dhe është në dëm të demokratizimit të shoqërisë. Sot subjekti më i madh në Kosovë i merr dy milionë euro në vit”, tha Nushi.
“Partitë e vogla vërtet janë të diskriminuara dhe partitë e mëdha të cilat e kanë kaluar pragun përfitojnë një pjesë të fondit për mbështetjen e subjekteve politike në kurriz të partive të vogla. Kjo ndikon që të ‘mbyten’ krijimi i partive politike si një e drejtë elementare e organizmit”, tha ai.
Për ankesat e partive se gjobat janë të larta, pati një përgjigje përfaqësuesja e KQZ-së Mergita Kryeziu. Sipas saj, gjoba nga 4 mijë deri 40 mijë euro është shumë e vogël.
Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, javë më parë është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.