Paralajmërimi për ardhjen e ushtarëve amerikanë, Osmani: Ju mirëpresim me zemër
Ushtarë të Gardës së Ushtrisë Kombëtare të Idahos pritet të vendosen në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Për këtë ka bërë të ditur Misioni i ShBA-së në NATO, duke thënë se siguria dhe stabiliteti i Kosovës është i rëndësie të veçantë.
“Pjesëtarë të Gardës së Ushtrisë Kombëtare të Idahos po vendosen jashtë vendit në mbështetje të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Këta qytetarë-ushtarë do të trajnohen në Teksas, para se t’i bashkohen Operacionit Gardiani i Përbashkët për një vit. Siguria dhe stabiliteti i Kosovës dhe i Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie strategjike për Aleancën”, ka thënë misioni i ShBA-së në NATO në një postim në platformën X.
E, për këtë ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se populli i Kosovës i mirëpret me zemër të hapur dhe është falënderues për shërbimin e tyre.
“Populli i Kosovës ju mirëpret me zemra të hapura. Jemi falënderues për shërbimin dhe mbështetjen e çdo amerikani që shërben në vendin tonë, krahë nesh”, ka shkruar Osmani në X.