Partitë opozitare dhe shoqëria civile po i konsiderojnë manovra politike dhe të vonshme deklaratat e pushtetarëve se qeveria do të hartojë vetë një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tyre, qasja e ekzekutivit në dialog është në dëm të forcimit të subjektivitetit dhe përfundimit të procesit të dialogut.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, thotë për KosovaPress se qëndrimet e tilla të pushtetit nuk janë serioze dhe se po bëhen vetëm për fushatë elektorale.
Ajo thekson se përveç kësaj deklaratat e pushtetarëve se Kosova do të hartojë draftin e vet për Asociacionin janë të vonshme, pasi Kurti e ka pranuar të njëjtin në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Çohu, Arton Demhasaj, thotë për KosovaPress se tendencat se tani Qeveria do të propozojë një draft për statutin e asociacionit janë amatorizëm politik.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ditë më parë ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft-statut për themelimin e Asociacionit. Sipas tij, Qeveria në momentin e duhur do të propozojë draftin e vet për themelimin e asociacionit.
Gjatë kësaj jave ka qëndruar në Kosovë, emisari special i BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak. Ai ka potencuar nevojën e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./E.Zeqiri/