Që nga viti 2019, klubi i hendbollit Besa Famgas nuk ka regjistruar humbje si vendase në palestrën “Karagaçi” në Pejë në garat evropiane.
Besa Famgas do të synojë që ta vazhdojë këtë ecuri fantastike edhe këtë të diele, ku përballet me Sesveten e Kroacisë, raporton KosovaPress.
Në nëntor të vitit 2020, Besa Famgas në palestrën “Karagaçi” zhvilloi dy ndeshje kundër skuadrës boshnjake, Bosna Vispak Visoko, ku të dy ndeshjet i fitoi me rezultatet 36:18 dhe 32:20 për tu kualifikuar tutje.
Pas këtyre dy ndeshjeve Besa Famgas e mposhti edhe Borcin e Banjallukës 24:22, por që humbi në Banjallukë me tre gola dallim.
Më 28 nëntor të vitit të kaluar, Besa Famgas regjistroi fitore kundër skuadrës së madhe rumune, Potaissa Turda me shifrat 30:28, por u mposht në Rumani 29:26 dhe nuk avancoi tutje.
Këtë vit, Besa e mposhti 35:32 Helsinkin dhe u kualifikua tutje në raundin e tretë të Kupës Evropiane, pasi ndeshjen në Finlandë e humbi me shifrat 28:27.
Besa Famgas do ta zhvillojë nesër ndeshjen kundër Sesvetes me fillim nga ora 19:00.