Profesor Shyqri Nimani është ndarë vetëm fizikisht pasi vepra e tij do të jetojë gjithmonë. Kështu u tha sot në mbledhjen komemorative për të nderuar profesorin e ndjerë, Shyqri Nimani, me ç’rast u mbajt edhe një minutë heshtje.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani teksa vlerësoi lart veprën e Nimanit, u shpreh tha se profesor Nimani po ndahet vetëm fizikisht prej nesh, pasi vepra e jeta e tij do të jetojnë gjatë sa shtetësia e Kosovës.
Ministri Çeku tha se profesor Nimani ka lënë gjurmë në artin vendor, të cilat sipas tij, institucionet duhet t’i kultivojnë.
Bashkëpunëtorit i Shyqri Nimanit, profesori Jusuf Buxhovi theksoi se tashmë i ndjeri Nimani ka merita historike për ndërtimin e binarëve të shteti të Kosovës.
E fjalë të mëdha për jetën dhe veprën e Shyqri Nimanit pati edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili Nimanin e quajti si një yll polar.
Djali i akademikut, Shyqri Nimani, Albani falënderoi të gjithë që po u qëndrojnë pranë në këto ditë të vështira për familjen e tyre, ndërsa kërkoi që ata njerëz të mëdhenj që kanë mbetur, të vlerësohen.
Profesor, Shyqri Nimani ka ndërruar jetë dje (22 qershor). E gjatë ditës së sotme, personalitetet kulturore e politike në vend bënë homazhe në nderim të profesorit të ndjerë, Shyqri Nimani.
Profesori Nimani për në banesën e tij të fundit do të përcillet në orën 17:00.