Thirrjet po bëhen për asnjë më shumë, ndërkohë që sot një grua vdiq pas vrasjes makabre nga i dyshuari, bashkëshorti i saj. Në hapjen e fushatës globale të 16 ditëve të aktivizimit, e gjeti Kosovën me edhe një viktimë të dhunës. Presidentja e vendit ka deklaruar se nuk duhet të ketë më tolerime për dhunuesit, e as për gjyqtarët e prokurorët.
Fjalimi i saj, ministres së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit nisën me ngushëllimet për familjet e thirrje për drejtësi nga ana e autoriteteve.“Sot të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm në mëngjesin e hershëm një burrë vrau gruan në mënyrën më makabre duke na alarmuar të gjithëve që fenomeni i dhunës në baza gjinore mbetët jashtëzakonisht prezent në shoqërinë tonë. Në këto çaste ne ndajmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllimet me të sinqerta për jetën e humbur të bashkëqytetares sonë”, ka thënë ajo.
Madje, Osmani e ka quajtur pandemi dhunën mbi baza gjinore, ku tha se kjo mbetet një prej shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut.
Më tej, në hapjen e fushatës globale, presidentja Osmani tha se luftimi i dhunës mbi baza gjinore do të jetë në krye të agjendës së këshillit për demokraci dhe të drejta të njeriut pranë zyrës së saj.
Ajo u ka bërë thirrje të gjitha viktimave që të raportojnë rastet e dhunës, por për këtë ka thënë se institucionet duhet t’u ofrojnë atyre siguri.
“Nuk mund të vazhdoj fjalën time pa shprehur ngushëllimet e mija për familjen e gruas së vrarë sot në Prishtinën. Është një grua e vrarë nga bashkëshorti, edhe një rast që na tronditi të gjithëve, kjo na bën që secili prej nesh në rolet dhe përgjegjësitë që kemi të vazhdojmë punën edhe më shumë, edhe më fort që raste të tilla ë mos dëgjojmë kurrë më, as edhe një më shumë. Ndërsa prej këtu kërkojmë drejtësi edhe për gruan e vrarë sot në Prishtinë sikurse për të gjitha viktimat e tjera”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të veprojnë në ndjekjen e rasteve të dhunës.
Pasditen e së premtes, Haxhiu ka thënë se në rast se institucionet nuk veprojnë, shteti dështon së ofruari mbrojtje për viktimat.
Avokati i Popullit u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë detajet e vrasjes së gruas nga Prishtina.
Fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, do të përfundojë me 10 dhjetor.