Osmani: Skënderbeu krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në përvjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ka thënë se ai krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve, por edhe me popujt e qytetërimit perëndimor.

“Sot kujtojmë kryestrategun dhe heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili me përkushtimin e tij ndaj mbrojtjes së atdheut, mbrojtjes së vlerave kulturore e etnike të popullit të tij, por edhe me aleancat e fuqishme me popujt evropianë, e krijoi lidhjen e përhershme mes shqiptarëve, por edhe me popujt e qytetërimit perëndimor. Të përkulemi, Skënderbe”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ndërroi jetë më 17 janar 1468 në Lezhë. Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë u lind në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.

I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur u lind Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare.  Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Krishterimit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15-të dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve shqiptare dhe mbrojtës i krishterimit.

Arriti të ndalonte për 25 vjet me radhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Evropës së Krishterë. Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysmëperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Sot në Shqipëri kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë.  Dhe kështu njerëzit emërojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë t’i ngjajnë këtij Heroi. Për këtë në Shqipëri është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjësi e madhe që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024