Serbia si përfaqësuese e Rusisë në rajonin tonë, është e përkushtuar që ta kthejë këtë rajon sikur në vitet 90-ta, pasi së bashku me aleatët e saj, duan të zhbëjnë gjithçka që është arritur së bashku gjatë viteve. Kështu tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën për 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me temë “Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes”, e cila është organizuar nga Universiteti i Prishtinës së bashku me Universitetin e Arkansasit të SHBA-së.
Osmani ka thënë se NATO është fati i Kosovës, fat i cili bazohet në dëshirën e të gjithëve për të ndarë përgjegjësitë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë.
Gjithashtu, Osmani ka shtuar se Serbia cdo ditë po tregon qëllimet e saja për rajonin.
“Fatkeqësisht, forcat e errëta janë ende shumë aktive sot. Çdo ditë që kalon, Serbia nuk turpërohet të na kujtojë qëllimet e saj më të vërteta. Serbia, përfaqësuesja e Rusisë në rajonin tonë, është e përkushtuar që ta kthejë rajonin tonë në vitet '90. Serbia dhe aleatët e saj duan të zhbëjnë gjithçka që kemi arritur së bashku gjatë viteve, dhe ata mendojnë se një sulm ndaj Kosovës nuk është vetëm një sulm ndaj një vendi fqinj, është një sulm kundër NATO-s, kundër Shteteve të Bashkuara, kundër Britanisë së Madhe, kundër sukseseve tona të përbashkëta, kundër vlerave që qëndrojnë në themelin e Komunitetit Euro-Atlantik, dhe ata po mendojnë se kjo nuk është vetëm për të fituar një betejë, por për të çmontuar një sistem vlerash. ne duhet të mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të refuzuar dhe për t'u thënë jo synime të tilla. Ne rezistuam atëherë, ndërsa refuzojmë sot”, ka shtuar Osmani.