Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC, ka deklaruar se Kosova përfaqëson një shembull të një vendi që e njeh nga afër koston dhe rrugëtimin drejt paqes, duke rikthyer në vëmendje periudhën e luftës dhe rolin vendimtar të aleatëve ndërkombëtarë, transmeton KosovaPress.
Ajo theksoi se ndërhyrja ndërkombëtare i hapi Kosovës mundësinë për paqe dhe liri, ndërsa vuri në pah edhe të arriturat e shtetit ndër vite.
Presidentja Osmani, ka mbrojtur vendimin e vendit për t'iu bashkuar një organizate të re ndërkombëtare të quajtur "Bordi i Paqes", duke theksuar se ky hap bazohet në përvojat historike të Kosovës, nevojën për një qasje më aktive në arritjen e paqes dhe tejkalimin e bllokadave që ekzistojnë në Kombet e Bashkuara.
“Ne e dimë se si mund të arrihet paqja dhe ajo arrihet përmes veprimit. Në atë kohë, unë isha një fëmijë i luftës që rritej nën granata dhe, si të gjithë të gjeneratës sime, jetët tona ishin në rrezik. Por çështja është se ajo që po dëgjonim në atë kohë ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së – ishin letra, ishin fjalë, por pa asnjë veprim – deri sa erdhën SHBA-të dhe mobilizuan botën për të na shpëtuar. Pra, arsyeja e parë është ky dallim mes ndërtimit të paqes dhe ruajtjes së paqes. Ne kemi nevojë për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare që angazhohet në ndërtimin e paqes, në arritjen e paqes. Dhe pastaj, sigurisht, OKB-ja do të përfshihej në ruajtjen e paqes, që është ajo që e bën më së miri, dhe e ka bërë këtë përmes mbështetjes së shumë kombeve këtu në Kosovë për 10 vjet”, tha ajo.
“Ne kemi tentuar të bëhemi anëtarë të Kombeve të Bashkuara për një kohë shumë të gjatë dhe Rusia na ka bllokuar sepse ka veto. Në këtë organizatë, Rusia nuk ka veto. Në këtë organizatë, Republika e Kosovës, vendi im, është ftuar të jetë anëtare themeluese, një shtet anëtar i barabartë”, theksoi ajo.
Lidhur me spekulimet për një tarifë të lartë anëtarësimi, Osmani mohoi kategorikisht se Kosovës i është kërkuar ndonjë kontribut financiar. Ajo sqaroi se statuti i organizatës nuk parashikon detyrime financiare për anëtarët, përveç atyre që dëshirojnë të kontribuojnë vullnetarisht.
Në fund, Presidentja Osmani theksoi se roli i Kosovës në këtë bord nuk do të jetë pasiv. Ajo e përshkroi Kosovën si një "faner drite" dhe një histori suksesi në ndërtimin e shtetit, demokracisë dhe paqes. Sipas saj, Kosova do të ndajë përvojën dhe praktikat e saj më të mira për të ndihmuar vendet e tjera në ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
"Ka ardhur koha jonë të kthejmë ndihmën që kemi marrë," përfundoi ajo, duke theksuar se anëtarësimi në këtë bord është një lëvizje strategjike për të forcuar sovranitetin dhe për të kontribuar aktivisht në paqen globale.