Osmani në takim me ministrin çek: Masat e BE-së po krijojnë mungesë ekuilibri në dialog
Lexohet për: 2 min.
CZ 1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák.

Në njoftim thuhet se në fokus të diskutimit ndërmjet presidentes Osmani dhe ministrit Dvořák, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal.

Osmani nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare. 

Mëtej, Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Ndërlidhur më këtë, Osmani, gjithashtu tha se Kosova meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, si vend që ka realizuar reforma rrënjësore.

Në takim me ministrin Dvořák, Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit, presidentja Osmani theksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, për të cilat tha se janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Duke spikatur marrëdhëniet e kahershme pozitive ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke, ata diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025