Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon një vizitë zyrtare në shtetin e Iowa-s në SHBA.
Ajo qëndroi në Gardën Kombëtare të Iowa-s, ku u prit nga komandanti, gjeneralmajor Stephen Osborn.
E para e shtetit e bëri edhe një turne me helikopter ushtarak rreth terenit ku trajnohen edhe ushtarët e FSK-se, mjetet ushtarake si dhe qendrën mjekësore në "Camp Dogne".
Osmani gjeneralmajorit Stephen Osborn i shprehi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që ka dhënë dhe vazhdon të jap Garda Kombëtare e Iowa-s për ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së që nga viti 2011.
Përkitazi me këtë, presidentja Osmani shtoi se SHBA është partneri kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes dhe kanë një rol primar në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së sidomos në kuadër të partneritetit ndërshtetëror me Shtetin e Iowa-s dhe Garden Kombëtare të Iowa-s në veçanti.
Ajo nënvizoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.