Osmani me ambasadorët e QUINT-it flasin për dinarin dhe për zgjedhjet në katër komunat në veri
Lexohet për: 3 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot,  ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë, Mathias Conrad me të cilët u diskutuan zhvillimet aktuale në fushën e politikës dhe atë të sigurisë.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Në takim me ambasadorët, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën imediate të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje. Heqja e masave, theksoi ajo, do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta.

Më tej në njoftim thuhet se gjatë takimit ajo ritheksoi se për fat të keq Serbia nuk po përballet me përgjegjësi për nxitjen e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj e as për sulmin e agresionit kundër Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

“Kjo situatë, sipas saj, mund ta nxisë Serbinë që t`i shtojë veprimet destabilizuese në rajon”, thuhet në njoftim.

Në fund thuhet se një pjesë e takimit iu kushtua edhe çështjes së zbatimit të Rregullores së BQK-së, me ç’rast Presidentja ritheksoi se është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë.

"Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë".

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024