Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh sot se Kosova ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend. Këto komente Osmani i bëri në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtërirje të Demokracisë”.
Presidentja tha se për një demokraci të qëndrueshme duhet avancimi qytetar pa dallim. Sipas saj, kjo pastaj përkthehet në më shumë transparencën dhe llogaridhënien institucionale.
“Në 15 vite rrugëtim Kosova mbetet vendi lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e s aj të re me një përbërje parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore, me një qeveri ku gratë janë më të përfaqësuar dhe janë më të fuqishme se kurrë më parë, por mbi të gjitha Kosova është sot vendi që e ka përkushtimin e palëkundur për të avancuar gjithnjë e më shumë barazinë gjinore në vend.”, tha presidentja Osmani.
Drejtoresha e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, ambasadorja Nancy Soderberg u shpreh se qëllimi i Javës së Gruas është që t’i bashkojnë burra e gra për të diskutuar për barazi në të gjitha poret e shoqërisë.
Drejtoresha e Misionit të USIAD në Kosovë, Zeinah Salahi deklaroi se përmes Javës së Gruas theksohet përkushtimi për barazinë gjinore dhe bashkon gra e burra për të arritur këtë qëllim.
Ajo tha se bashkë me NDI po punojnë për fuqizimin e grave dhe do ta ndihmojnë Kosovën derisa të ndërtoj një demokraci më të fuqishme dhe më gjithëpërfshirëse.
Përgjatë këtyre dy ditëve në panelet diskutuese do të trajtohet krijimi i ambientit gjithëpërfshirës për rekrutimin dhe mbajtjen e grave dhe të rinjve në partitë politike; lidhshmëria në mes të fuqizimit ekonomik të grave dhe rritjen e numrit të tyre në politikëbërje si dhe përfaqësimit kuptimplotë; progresi i grave në qeverisje lokale dhe çfarë mbetet për t’u bërë tutje nga partitë politike dhe institucionet qeveritare për të siguruar barabarësi; dhuna ndaj grave në politikë dhe përfaqësimi i tyre në media./B.Ibishi/