Osmani: Ka shqetësime se mund të përsëriten sulmet terroriste në veri
Lexohet për: 2 min.
403710787_886106972873843_7211771983960762148_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse Serbia nuk ndëshkohet për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, do të inkurajohet për sulme të tjera. Osmani pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nënvizoi se ka shqetësime nga institucionet e sigurisë së Kosovës se Serbia përmes strukturave ilegale dhe paramilitare po vazhdon të bëjë organizime të reja që mund të përsërisin sulme të tilla.

Osmani në konferencë të përbashkët me Stoltenberg tha se Serbia në vend që të ekstradojë terroristët, po vazhdon t’i mbështesë ata në planifikim për sulme të reja kundër Kosovës dhe stabilitetit rajonal.

Ajo shtoi se këto informacione i kanë ndarë me aleatët, përfshirë NATO-në, derisa theksoi nevojën që t’i kërkohet Serbisë që t’i tërheq trupat përreth kufirit me Kosovën.

E pyetur për marrëveshjen e vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-s, në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës, pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, Osmani tha se e njëjta s’ka qenë në interes të Kosovës, mirëpo Kosova është vend serioz dhe e respekton atë.

Ajo shtoi se këtë ujdi e kanë diskutuar sot edhe me Stoltenberg, mirëpo nën supozimin se do të respektohet renditja e përgjegjësve sa i përket sigurisë në Kosovë.

Duke folur për influencën ruse në Ballkan, Osmani tha se ajo shihet në tri aspekte, propagandën, shitjen e armëve Serbisë dhe mbështetjen politike që ia jep fqinjit verior për destablizim.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani nënvizoi se pa zbatim të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, nuk mund të ketë dialog të suksesshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë qëndrimit në Kosovë u takua edhe me kryeministrin, Albin Kurti./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025