Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur takim me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, pas rasteve të fundit të vrasjeve të grave. Pasditen e së premtes, ajo ka mbledhur krerë të institucioneve dhe përfaqësues të shoqërisë civile, meqë sipas saj, gjendja është serioze dhe duhet të parandalohen rastet e dhunës dhe vrasjeve të grave. Në këtë takim nuk kanë marrë pjesë krerë të institucioneve të drejtësisë, për çka Osmani ka konsideruar se kjo është papërgjegjësi totale.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se shumë gra zgjedhin heshtjen për shkak të pasigurisë. Takimi i sotëm, siç tha Osmani, ka për qëllim që të parandalohen rastet e vrasjeve.
Ajo para përfaqësuesve të institucioneve ka shtuar se të gjithë kanë për detyrë që të mbrojnë jetën e qytetarëve të vendit. Sipas saj, mbetet larg triumfi për këtë betejë, derisa vazhdojnë të shënohen raste të tilla.
Osmani ka shtuar se qëllimi i këtij takimi është që secili institucion të shoh se ku janë bërë gabimet dhe të ndërmerren veprimet konkrete.
Më tej, presidentja e vendit ka shtuar se shumica e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë kanë mundur të parandalohen. Ajo ka përmendur emrat e grave të vrara nga burrat ku ka dështuar shteti që të ju dal në mbrojtje.
“Vetëm në katër vitet e fundit janë parashkruar plot 196 raste të dhunës seksuale. Në vitin 2016, kanë qenë 21 raste me aktgjykim dënues, kurse 44 të parashkruara, 2/3 të parashkruara. Në vitin 2017, 15 raste me aktgjykim dënues, 40 të parashkruara. Në vitin 2018, 20 raste me aktgjykim dënues, 62 raste të parashkruara. Në vitin 2019, 18 raste me aktgjykim dënues, 38 të parashkruara”, ka shtuar ajo.
“Arsyeja e vetme se në fund vendosem që të ftojmë Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, është sepse në Këshillin Nacional të Sigurisë nuk janë të përfaqësuara institucionet e drejtësisë. Dhe të parët që i kemi kontaktuar në lidhje me këtë takim kanë qenë pikërisht institucionet e drejtësisë, duke e ditur rolin e tyre. Dhe vetëm pas konfirmimit të tyre që do të marrin pjesë, ju kemi ftuar edhe ju të tjerëve. Për fat të keq, në momentet e fundit u njoftuam me shkrim që përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë nuk do të vijnë, përkundër konfirmimit paraprak. Përveç që e konsideroj akt totalisht të papërgjegjshëm dhe të pandjeshëm në raport me jetën e qytetarëve tanë, e konsideroj këtë bojkot ndaj shtetit, sepse është bojkot ndaj shtetit dhe si bojkot ndaj të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve tanë. Po ashtu edhe shkelje të betimit që e japin personat”, ka thënë Osmani.
Gjatë ditës së sotme është varrosur 35-vjeçarja, e cila dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Ky i fundit është vetëvrarë sot në shtëpinë e tij.