Me gjithë kritikat e opozitës, Komisioni parlamentar për Ekonomi, ka miratuar të hënën Projektligjin me katër amendamente shtesë nga Zyra e Bashkimit Evropian për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Duke iu përgjigjur vërejtjeve të opozitës, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se ky projektligj nuk ka për qëllim çrregullimet në treg, pasi që siç tha ajo është përmbajtësor dhe esencial.
“Nga aspekti i përfaqësuesve të pozitës, i bëj thirrje opozitës me shqyrtuar seriozisht këtë projektligj, sepse nuk ka ardhur si projektligj i cili ka pasur synimin nga ana e pozitës për me pasur ndonjë ndikim ose me shkaktuar ndonjë çrregullim në treg. E kundërta e saj është që këto çrregullime të cilat vijnë si rrjedhojë e situatave jo stabile ku po ballafaqohemi ne… Është aq përmbajtjesor dhe esencial që nuk po e shoh të arsyeshme që me pasur argumente që shkojnë në kundërshti të mos mbështetjes së këtij projektligji”, theksoi ajo.
Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka dhënë vërejtjet dhe kritikat për këtë Projektligj, i cili sipas tij është antikushtetues. Lekaj po ashtu tha se me kohë ishte dashur që projektligji në fjalë të harmonizohet me direktivat e Bashkimit Evropian e jo sot.
Ndaj deputetit Lekaj, ka reaguar deputeti nga Vetëvendosje, Driton Hyseni i cili tha se komentet e BE-së kanë qenë të përfshira në projektligj që nga fillimi.
Megjithatë ai shtoi se komentet shtesë nga Zyra e Bashkimit Evropian vetëm sa e pasurojnë ligjin.
Kundër këtij projektligji u deklarua edhe kryetari i komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala.
Deputeti Shala theksoi se projektligji është në kundërshtim me parimet e tregut të lirë dhe se është antikushtetues.
Ky Projektligj për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore, është miratuar në parim në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe është caktuar që me procedura të përshpejtuara, në një seancë të re më 8 nëntor të shqyrtohet në lexim të dytë./I. Shabani/