Në mungesë të vendimmarrjes ka dështuar raportim i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisionin për Integrime Evropiane. Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre në votim me formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.
Madje deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se pa u formuar komisioni hetimor nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvend.
Qëndrim të njëjtë shfaqi edhe deputetja e LDK-së, njëherësh, kryetare e komisionit, Rrezarta Krasniqi.
“Ne si LDK e kemi dhënë qëndrimin tonë dhe sot s’kemi vendimmarrje për të vazhduar mbledhjen”, deklaroi Krasniqi.
“Ky komision nuk i plotëson kushtet për të vazhduar më tutje, arsyeja dihet, pasi ne si opozitë nuk do të votojmë as rendin e ditës dhe as projektligjet, derisa të formohet komisioni hetimor dhe të respektohet opozita”, tha ajo.
Bojkotimin e opozitës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha e quajti të padrejtë.
Duke lëshuar mbledhjen në debat u përfshi edhe ministrja Haxhiu, e cila tha se në të kaluarën ka qenë e vështirë me i sjellë ministrat në Kuvend, ndërsa tash kur po vijnë, opozita s’po pajtohet.
“Në të kaluarën ka qenë shumë vështirë me i sjell ministrat, tash ministrat po vijnë, opozita s’po pajtohet”, theksoi ajo.