Çmimet botërore të ushqimit kanë shënuar rënie të lehtë gjatë prillit pasi në mars shënuan nivele rekorde, tha të premten agjencia për ushqim e Kombeve të Bashkuara.
Në indeksin e çmimeve të ushqimit të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë, që ndjek të gjitha trendet globale të çmimeve ushqimore, niveli i çmimeve në prill arriti në 158.5 pikë, krahasuar me 159.7 pikë sa ishte në mars.
Edhe pse është shënuar rënie e çmimeve, nëse krahasohen shifrat me prillin e kaluar, atëherë i bie që çmimet botërore të ushqimit janë 29.8 për qind më të larta, teksa janë rritur shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në tregjet botërore pushtimi rus i Ukrainës.
Organizata për Ushqim dhe Agrikulturë po ashtu parashikoi se prodhimi i grurit më 2022 do të jetë 782 milionë tonë, që është një parashikim më i ulët sa kishte qenë paraprakisht.