Oda e Avokatëve e Kosovës ka reaguar pas deklarimeve të ministres Albulena Haxhiu, se Oda e Avokatëve është institucioni i vetëm me të cilin nuk po gjejnë bashkëpunim dhe se kësaj të fundit po i mungon vullneti për të bashkëpunuar mbi raportin me rekomandimet që dalin nga strategjia për sundimin e ligjit.
Ministrja e Drejtësisë në aktivitetin për të përmbyllur javën e ndërmjetësimit, ka thënë se i është shkruar disa herë Odës së Avokatëve në raport me këto rekomandime, por ata nuk kanë shprehur interes për bashkëpunim.OAK sqaron se ka qenë nga 14 shkurti në komunikim me zyrtarët nga Rishikimi funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, dhe ka kërkuar të njoftohet mbi mënyrën e aprovimit të strategjisë dhe informacion sqarues se, pse OAK nuk ka qenë pjesë e ekipit qendror punues për hartimin e projekt strategjisë së sundimit të ligjit, dhe as pjesë e Komitetit Drejtues dhe organit koordinues ndërinstitucional.
OAK përkujton se më 21 korrik 2022, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë kanë pasur tryezën e përbashkët për finalizimin e Draft Raportit përfundimtar për vlerësimin ex post të Ligjit për Avokatinë, që dëshmon se komunikimi i mirëfilltë nuk mungon nga ana e OAK-së.
Duke pasur të gjitha këto paqartësi, duke mos qenë e kyçur në fillimet e projektit si tërësi, OAK nuk ka pasur mundësi të raportojë për detyrimet qe i janë caktuar nga të tjerët pa u pyetur ajo, por që më parë më datë 22.09.2022, OAK ka pasur takimin e parë me zyrtarët e Rishikimit funksional të Sektorit të sundimit të Ligjit, ku pas sqarimeve detale që ka marrë është dakorduar mënyra dhe forma e raportimit të OAK-së, por që kjo nuk ka interferuar te ministrja Haxhiu pasi nuk ka pasur rëndësi për Strategjinë që ka ministrja në raport me përpjekjen e saj për dëmtimin e imazhit të OAK-së.
OAK është e befasuar me deklaratën e zëvendës kryesuesit të KGJK marr parasysh bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe se deri më tani, OAK, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë bisedim me KGJK lidhur me e-mailat zyrtar.
“Ne përsërisim kërkesën tonë konsekuente, se do të këmbëngulim në rritjen e tarifës për angazhimet e avokatëve në rastet sipas detyrës zyrtare, pasi që është dhe mbetet e domosdoshme për avokatët”, përfundon reagimi.